Manchester United nënshkruan me mesfushorin holandez Van de Beek

Klubi futbollistik anglez, Manchester United transferoi sot mesfushorin e Ajax Amsterdam, Donny van de Beek, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Manchester United është i lumtur të konfirmojë ardhjen e Donny van de Beek nga Ajaxi. Mesfushori holandez ka nënshkruar një kontratë 5-vjeçare me një mundësi për t’u zgjatur për një vit tjetër”, njoftoi klubi nga Premier Liga angleze në një deklaratë.

Si një produkt i Ajax-it, 23-vjeçari Van de Beek, u promovua në skuadrën seniore të klubit holandez në vitin 2015.

Ai ishte një nga lojtarët kryesorë për Ajaxin në sezonin 2018-19 kur ekipi arriti në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve.

Van de Beek gjithashtu luajti për Ajaxin në finalen e UEFA Europa League 2017 kundër Manchester United, kur skuadra angleze u bë kampione e Europa League me një fitore 2-0 në Stockholm, Suedi.

Sezonin e kaluar, përfaqësuesi holandez regjistroi 10 gola dhe 11 asiste në 37 paraqitje, duke fituar kampionatin holandez me Ajaxin.