Siguria është një domosdoshmëri njerëzore dhe një obligim jetësor, pa të cilën nuk rregullohet asnjë çështje dhe nuk realizohet asnjë synim, as i kësaj bote e as i botës tjetër. Për këtë arsye, Allahu e ka lidhur atë me bazat e jetës, duke thënë: “Dhe Ne do t’ju sprovojmë patjetër me diçka nga frika, uria dhe pakësimi i pasurisë, i jetëve dhe i të lashtave.”[1]madje e ka përmendur së pari frikën, sepse siguria është e kundërta e frikës. Kështu, siguria është guri themeltar i projektit të ndërtimit qytetërues dhe i zëvendësimit njerëzor; me mungesën e saj, çrregullohen të gjitha çështjet e njerëzve.
Prandaj nuk është aspak e çuditshme që Suneti t’i ketë kushtuar vëmendje çështjes së sigurisë shoqërore, sepse ajo është çështje thelbësore e Islamit dhe synimi i tij më i madh. Nëpërmjet sigurisë ruhen synimet e sheriatit ndaj krijesave, të cilat dijetarët i kanë përmendur si pesë: ruajtja e fesë, e jetës, e arsyes, e pasardhësve dhe e pasurisë. Suneti, me të gjitha dispozitat e tij të larmishme, ka ardhur për ta shtrirë sigurinë mbi këto synime madhore, në të gjitha sferat e jetës.
Profeti (a.s) i ka përmbledhur bazat e sigurisë, siç transmetohet në el-Edeb el-Mufred të Buhariut nga Ubejdullah ibn Mihsan el-Ensari, se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush zgjohet i sigurt në familjen e tij, i shëndoshë në trupin e tij dhe ka ushqimin e ditës së vet, është sikur t’i jetë dhënë e gjithë bota.”
El-Menaviu në Fet’h el-Kadir shpjegon: “Do të thotë: kujt Allahu i bashkon shëndetin e trupit, sigurinë e zemrës kudo që të drejtohet, mjaftueshmërinë e jetesës me furnizimin e ditës dhe sigurinë e familjes, atij Allahu i ka bashkuar të gjitha mirësitë që edhe ai që zotëron botën nuk merr veç tyre. Prandaj, ai nuk duhet ta nisë atë ditë veçse me falënderim, duke i përdorur këto mirësi në bindje ndaj Dhuruesit, jo në mosbindje, dhe duke mos u lodhur nga përmendja e Tij.”
Ndër manifestimet e kujdesit të Sunetit për sigurinë shoqërore është motivimi që siguria të përhapet në marrëdhëniet mes fqinjëve, në mënyrë që fqinji të jetë burim sigurie për fqinjët e tij. Ndërsa ai që bëhet burim frike dhe shqetësimi për fqinjët, Profeti (a.s) ia ka mohuar besimin. Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai nga i cili fqinji i tij nuk është i sigurt nga dëmet e tij.”[2] “Beuaik” janë padrejtësitë dhe prapësitë e rënda.
Po ashtu, ndër manifestimet e sigurisë shoqërore në Sunetin profetik është se ai pothuajse e përkufizon thelbin e Islamit dhe të besimit me sigurimin e njerëzve nga dëmi i gjuhës dhe i dorës, për të theksuar këtë parim madhor. Abdullah ibn Amr (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Musliman është ai nga gjuha dhe dora e të cilit muslimanët janë të sigurtë; dhe muhaxhir është ai që largohet nga ajo që Allahu e ka ndaluar.”[3] Ndërsa te Tirmidhiu dhe Ibn Hibani shtohet: “Dhe besimtar është ai tek i cili njerëzit ndihen të sigurtë për pasuritë dhe gjakun e tyre.”
Nga manifestimet e kujdesit për sigurinë shoqërore është nxitja e vazhdueshme për aktivizimin e rolit të urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja, sepse ai është valvula e sigurisë së shoqërive në fushën intelektuale dhe morale. Përhapja e të këqijave, shfaqja e imoralitetit dhe thirrjet e hapura për ateizëm, islamofobi janë ndër kërcënimet më të mëdha për sigurinë e shoqërisë. Ndërsa mbajtja e përgjegjësisë sipas udhëzimeve profetike është nga mjetet më të rëndësishme për pakësimin e të këqijave. Nga Ebu Seid el-Hudriu (r.a) transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush sheh prej jush një të keqe, le ta ndryshojë me dorë; nëse nuk mundet, me gjuhë; e nëse nuk mundet, me zemër dhe ky është niveli më i dobët i besimit.”
Shumë nga çrregullimet e sotme të sigurisë në shoqëri që dikur gëzonin qetësi, kanë ardhur si pasojë e neglizhimit të këtij parimi.
Ndër manifestimet e kujdesit për sigurinë shoqërore në Sunetin profetik është nxitja për përhapjen e frymës së dashurisë dhe paqes mes anëtarëve të së njëjtës shoqëri. Profeti (a.s) ka nxitur dashurinë dhe gjithçka që forcon lidhjet e saj, sepse ajo është arma më e fuqishme për forcimin e sigurisë në çdo shoqëri. Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk do të hyni në Xhenet derisa të besoni, dhe nuk do të besoni derisa të doni njëri-tjetrin. A t’ju tregoj diçka që, po ta bëni, do ta doni njëri-tjetrin? Përhapeni selamin mes jush.”[4] Mikdam ibn Ma‘di Kerib transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Kur dikush e do vëllanë e tij, le ta njoftojë se e do.”[5] Ndërsa te Tirmidhiu transmetohet: “Dhurohuni dhurata, sepse dhurata largon mllefin e kraharorit; dhe mos e nënçmoni dhuratën e fqinjës për fqinjen, qoftë edhe një thundër deleje.”
Profeti (a.s) e ka bërë marrëdhënien e sigurtë me shoqërinë, përmes dhënies së së mirës, ndër veprat më të mëdha që i sigurojnë besimtarit sigurinë e përjetshme në Xhenet. Aliu (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Në Xhenet ka dhoma, brendësia e të cilave shihet nga jashtë dhe çfarë ka jashtë shihet nga brenda.” Kur u pyet se për kë janë, tha: “Për atë që e zbukuron fjalën, ushqen të tjerët, vazhdon agjërimin dhe falet natën kur njerëzit flenë.” Po ashtu, Profeti (a.s) ka thënë: “Ushqeni të uriturin, vizitoni të sëmurin dhe lironi të burgosurin.”[6]
Ndër manifestimet e kujdesit për sigurinë shoqërore në Sunetin profetik është ndalimi i çdo veprimi që cenon sigurinë e shoqërisë. Profeti (a.s) ka thënë: “Kush ngre armën kundër nesh, nuk është prej nesh; dhe kush na mashtron, nuk është prej nesh.”[7]
Po ashtu, vendosja e parimeve të drejtësisë dhe barazisë mes njerëzve është nga manifestimet e sigurisë shoqërore, sepse me to qetësohen shpirtrat, zhduket armiqësia dhe mbizotëron kënaqësia. Profeti (a.s) ka thënë: “Ata që ishin para jush u shkatërruan sepse, kur vidhte fisniku, e linin të lirë, e kur vidhte i dobëti, zbatonin dënimin mbi të. Pasha Allahun, sikur Fatimja, bija e Muhamedit, të vidhte, do t’ia prisja dorën.”[8]
Ndër manifestimet e kujdesit për sigurinë shoqërore në Sunetin profetik është orientimi i sundimtarit dhe i popullit në atë që garanton vazhdimësinë e sigurisë dhe stabilitetin. Sundimtarët u udhëzuan të mbajnë përgjegjësi ndaj popullit të tyre. Ibn Umeri (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Dijeni se të gjithë jeni barinj dhe të gjithë jeni përgjegjës për kopenë tuaj; sundimtari mbi njerëzit është bari dhe është përgjegjës për ta.”[9] Në një hadith tjetër, Profeti (a.s) ka thënë: “Nuk ka asnjë sundimtar që merr përsipër çështjet e muslimanëve dhe nuk përpiqet për ta e nuk i këshillon, veçse nuk do të hyjë me ta në Xhenet.”[10]
Po ashtu, populli u udhëzua për dëgjim dhe bindje në të mirë, dhe për mosdalje kundër udhëheqësve edhe kur ata bëjnë padrejtësi, për të mbrojtur sigurinë shoqërore. Në Sahihun e Muslimit transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush del nga bindja dhe ndahet nga xhemati e vdes, vdes me vdekje xhahilije…”
Kështu, çështja e sigurisë shoqërore mbetet bosht qendror në diskursin profetik, dhe theksi mbi të vazhdon deri në skenën e fundit që Profeti (a.s) përjetoi në Haxhin e Lamtumirës, kur tha: “Dijeni se dita juaj kjo është e shenjtë, muaji juaj ky është i shenjtë, dhe vendi juaj ky është i shenjtë; dhe se gjaku juaj dhe pasuria juaj janë të shenjta për ju, ashtu si shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj dhe në këtë vend. A e kumtova?” Thanë: Po. Ai tha: “O Allah, dëshmo!”
Madje, po të thuhej se çështja e sigurisë, në të gjitha nivelet e saj, është vetë çështja e Sunetit profetik – madje e Islamit –, nuk do të ishte larg së vërtetës; sepse në çdo dispozitë, udhëzim apo ligjërim, ka dimensione të dukshme të sigurisë për këdo që e vështron sheriatin me sy të mprehtë.
Burimi: islamweb.com
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Bekare: 155.
[2] – Buhariu dhe Muslimi.
[3] – Buhariu dhe Muslimi.
[4] – Muslimi.
[5] – Ebu Daudi.
[6] – Buhariu.
[7] – Muslimi.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Muslimi.
[10] – Muslimi.








