Manifestimi i Ashuras sipas Islamit

Nocioni “Ashura” është fjalë e gjuhës arabe, që donë të thotë e dhjeta. Me nocionin “ashura” në terminologjinë e islamit nënkuptojmë ditën e dhjetë të muajit Muharrem sipas kalendarit islamik. Se çfarë është vlera e kësaj dite në historinë e islamit gjemë disa transmetime nga Pejgamberi, Sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme, që tregojnë se cila është arsyeja që dallon këtë ditë, pra ditën e dhjetë të muajit Muharrem, nga ditët tjera të vitit.

Në një transmetim nga Ibni Abasi Allahu qoftë i kënaqur me të thotë: Pasi që Pejgamberi, Alejhis-selam, emigroi prej Mekës në Medinë, atje kishte parë çifutët (judët) se ata e agjëronin ditën e ashures (ditën e dhjetë të muajit Muharrem), e pastaj i pyeti: Çka është kjo ditë që po e agjëroni? ata i thanë: Kjo është një ditë e mirë, ditë madhështore, këtë ditë Allahu xh.sh. e shpëtoi Musan dhe popullin e tij dhe e zhyti Faraonin dhe popullin e tij, andaj këtë ditë e agjëroi Musa, Alejhis-selam, në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. e edhe ne e agjërojmë këtë ditë. Në këtë rast Pejgamberi, Alejhis-selam, tha: Ne kemi më shumë të drejtë, më shumë prioritet se sa ju ndaj Musas, Alejhis-selam, dhe Pejgamberi, Alejhis-selam, e agjëroi këtë ditë, dhe i urdhëroi shokët e tij ta agjërojnë” Mutefikun alejhi.

Nga ky hadith i Pejgamberit, Sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nënkuptojmë se agjërimi i ditës së ashures, ishte detyrim për besimtarët islam, sepse agjërimi i muajit të Ramazanit si adhurim për besimtarët islam akoma nuk ishte bërë farz. Nëse marrim parasysh aspektin kohorë, me lehtësi konstatojmë se kjo ngjarje ka ndodhur në vitin e parë të hixhretit, sepse agjërimi i muajit të Ramazanit ishte bërë obligim vitin e dytë. Aisheja, r.a. tregon duke thënë: kur Pejgamberi, Alejhis-selam, emigroi prej Mekës në Medine, ai agjëroi Ashuren (ditën e dhjetë të muajit Muharrem) dhe gjithashtu kishte urdhëruar edhe shokët e tij të agjërojnë këtë ditë, e kur Allahu xh.sh. na obligoi me agjërimin e muajit të Ramazanit (vitin e dytë hixhrij) ai e la agjërimin e ashures të lirë, kush dëshiron e agjëron e kush dëshiron nuk e agjëron” Buhariu.

-I-

Në bazë të kësaj që kuptojmë nga hadithi i lartpërmendur se Pejgamberi, Alejhis-selam, pas kësaj bisede me çifutët për arsyen e agjërimit të kësaj dite, kishte filluar të agjërojë dhe njëkohësisht kishte urdhëruar edhe shokët e tij të agjërojnë. Agjërimi i Pejgamberit, Alejhis-selam, dhe shokëve të tij ishte në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. që këtë ditë kishte shpëtuar Musa, Alejhis-selam, dhe besimtarët e tij nga Faraoni. Kjo ngjarje kishte ndodhur në bregun e detit të kuq, kur Musa, Alejhis-selam, dhe besimtarët e tij para vete kishin detin, kurse pas vete ushtrinë e tmerrshme të Faraonit në krye me të, i cili pasi kishte humbur betejën e argumentit për bindur Musan, Alejhis-selam, se ky ishte Zot, dhe ky meriton të adhurohet, kishte vendosur ti eliminojë kundërshtarët e tij, andaj e ndjektë nga pas për ti vrarë. Ndoshta në momentin kur Faraoni pa Musanë dhe besimtarët e tij se tani më nuk kanë rrugëdalje, sepse para vetit kanë detin e pas shpine Faraonin ishte tepër i gëzuar sepse sipas tij po i jepet mundësia që tani të tregojë forcën e sundimit të tij. Kjo ishte dëshira e tij, por duhet të ndodhë vetëm ajo që e dëshiron Allahu Fuqiplotë, e jo ajo që dëshiron Faraoni. Musa, Alejhis-selam, ishte i bindur në këtë parim, sepse ai pasi që kishte marrë të gjitha masat preventive për ti shpëtuar Faraonit, dhe tani intervenimi i Allahut xh.sh. do të jetë i drejtpërdrejte duke ia hapur rrugët Musas, Alejhis-selam, dhe muslimanëve që të dalin në anën tjetër të detit, kurse me hyrjen e Faraonit në dete, do të mbyllen rrugën dhe ai bashkë me ushtarët e tij do të ngulfatet në valët e detit. Kur’ani fisnik e përshkruan shumë qartë këtë ngjarje, dhe kjo ishte dita e shpëtimit të Musas, Alejhis-selam, dhe besimtarëve të tij nga Faraoni. Pas përfundimit të këtij intervenimi të drejtpërdrejte, që ishte mrekulli, Musa, Alejhis-selam, në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. këtë ditë shpëtimi e manifestoi me agjërim, pra me ibadet.

Këtë ditë të ashures, që ishte dita e dhjetë e muajit Muharrem në shenjë falënderimi ndaj Allahut xh.sh. për shpëtimin e Musas, Alejhis-selam, dhe besimtarëve të tij, e agjëroi edhe Muhamedi, Alejhis-selam, bashkë me shokët e tij. Ajo që vlen të theksohet në këtë rast është fakti se Pejgamberi, Alejhis-selam, çifutëve u tha se ne muslimanët kemi më shumë prioritet ndaj Musas, Alejhis-selam, se sa ju, sepse vërtetë ne jemi pasues të besimit të vërtetë të Musas, Alejhis-selam, kurse ju jeni ata që e keni devijuar pastërtinë e besimit të tij.

-II-

Dihet se muslimanët në përgjithësi, por sahabët- shokët e Pejgamberit, Alejhis-selam, kishin shumë kujdes ndaj praktikimit të normave islame në ruajtjen e pastërtisë së tyre, jo vetëm të aspektit thelbësor, por edhe në aspektit formal. Ata nuk kundërshtuan urdhrin e Pejgamberit, Alejhis-selam, por menjëherë e implementuan, edhe pse në brendësinë e tyre mbanin një element shqetësues. Për këtë vendosët ti drejtohen edukatorit të njerëzisë që me shumë komoditet lehtësonte zemrat dhe brengat e muslimanëve. Iu drejtua Pejgamberit, Alejhis-selam, duke i thënë: O i dërguari i Allahut, këtë ditë të ashuras që po e agjërojmë, këtë ditë e kanë madhëruar çifutët dhe krishterët, ndoshta mos po u përngjasim atyre ?!. Atëherë Pejgamberi, Alejhis-selam, shqetësimin e tyre e kuptoi me shumë elegancë dhe të njëjtin e arsyetoi, duke u thënë: vitin e ardhshëm kësaj dite do t’ia bashkëngjisim edhe ditën e nëntë të muajit Muharrem, që të mos i përngjasim çifutëve në adhurime. Mirëpo, për fat, Pejgamberi, Alejhis-selam, ndërroi jetë, para se të vinte dita e ashures në vitin e ardhshëm por dispozita ngeli në fuqi ashtu si e sqaroi Pejgamberi, Alejhis-selam.

-III-

Për vlerën e agjërimit të Ashuras më së mirë na e përshkruajnë hadithet e Pejgamberit, Alejhis-selam, e në mesin e tyre edhe hadithi i regjistruar te imam Muslimi në koleksionin e tij me transmetim nga Katadete se Pejgamberi, Alejhis-selam, kur është pyetur për vlerën e agjërimit të ditës së Ashuras, ka thënë: Agjërimi i Ashuras i mbulon mëkatet e vitit të kaluar”.

Ibni Abasi r.a. ka thënë: nuk e kam parë Pejgamberin, Alejhis-selam, që është përkujdesur për agjërimin e ndonjë dite sa është përkujdesur për agjërimin e ashuras. Buhariu.
Kurse imam Termidhiu regjistron hadithin poashtu me transmetim nga Ibni Abasi ku thotë: “Asnjë ditë nuk është më meritore për agjërim më shumë se dita e Ramazanit dhe dita e ashuras”. Kurse në një transmetim tjetër nga Ebu Hurejreja r.a. thuhet se Pejgamberi, Alejhis-selam, ka thënë: Agjërimi më i vlefshëm pas agjërimit të muajit të Ramazanit, është agjërimi në muajin e Allahut Muharrem (Ashura). Termidhiu.

Shokët e Pejgamberit, Alejhis-selam, kishin gjithnjë kujdes të veçantë në agjërimin e kësaj dite. Ata jo vetëm që agjëronin vetë, por edhe të vegjlit e tyre- fëmijët i nxitnin në agjërimin e kësaj dite. Tregon Rebia vajza e Muavidhit e cila ka thënë: Këtë ditë, pra ditën e Ashurasë, Pejgamberi, Alejhis-selam, në çdo mëngjes dërgonte nga një njeri në periferi te ensarët dhe u thoshte: kush është zgjuar duke ngrënë, le ta agjërojë pjesën tjetër të ditës së tij, e kush është gdhirë agjërueshëm, le të vazhdojë agjërimin deri në mbrëmje. Andaj ne agjëronim dhe i nxitnim edhe të vegjlit tanë që të agjërojnë këtë ditë.

-IV-

Duke u bazuar në argumentet që i theksuam dhe shumë të tjera që nuk janë përmendur, dijetarët islamë kanë sjellë vendimin që dispozita e agjërimit të ditëve të Ashuras është sunet. Është Sunet të agjërohet dita e nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë e muajit Muharrem. Andaj disa nga dijetarët islamë kanë thënë se agjërimi i kësaj dite ndahet në tre kategori, që janë: kategoria e parë është agjërimi i tri ditëve, (ditës së nëntë, dhjetë dhe njëmbëdhjetë) e muajit Muharrem, kategoria e dytë është agjërimi i ditës së nëntë dhe dhjetë të muajit Muharrem, dhe kategoria e tretë është agjërimi i ditës së dhjetë të muajit Muharrem.

Nga: Jusuf Zimeri /islamgjakova