Trupat e Japonisë dhe SHBA-së zhvilluan stërvitje të përbashkëta me qëllim të forcimit të mbrojtjes së ishujve të largët japonezë, njoftuan mediat lokale të dielën, transmeton Anadolu.
“The Japan Times” me bazë në Tokio raportoi se Forcat e Vetëmbrojtjes Tokësore të Japonisë së bashku me marinën amerikane “zhvilluan stërvitje zbarkimi në ishullin Tokunoshima në prefekturën Kagoshima të premten, në kuadër të stërvitjes së përbashkët të Iron Fist”.
Kjo është “përsëritja e parë e stërvitjes që do të mbahet në Japoni”, raportoi gazeta.
“Me zhvillimin e stërvitjes në një vend afër ishujve Nansei, pala japoneze dhe ajo amerikane kishin për qëllim të konfirmojnë aftësitë e tyre të përbashkëta në mbrojtjen e vargut të ishujve jugperëndimorë dhe mbajtjen nën kontroll të pranisë gjithnjë e më të madhe detare të Kinës”, thuhet në raport.
Në kuadër të stërvitjes, njësitë nga të dy vendet “punuan së bashku në zbarkimin e trupave”, shtohet më tej.
Të gjitha stërvitjet e mëparshme “Iron Fist” ishin zhvilluar në SHBA. Manovra përfshinte gjithashtu “stërvitje me parashutë dhe ulje me njësi sulmi amfibe dhe ajrore”, raportoi “The Japan News”.
Stërvitja, e cila filloi më 16 shkurt, do të vazhdojë deri më 12 mars.



