Maqedoni e Veriut, kreu i BFI-së mesazh urimi për festën e Kurban Bajramit

Shaqir Fetahu

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, Shaqir Fetahu, uroi besimtarët muslimanë të vendit dhe bashkatdhetarët për festën e Kurban Bajramit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në mesazhin e tij, Fetahu përmes “urimeve të përzemërta” lutë Allahun Fuqiplotë në këtë Festë të bekuar “t’i pranojë lutjet tona, kurbanët tonë dhe ibadetet tona, ta forcojë paqen në botë, ta largojë të keqen në mes njerëzve, t`na dhuroi durim në sprovat e kësaj jete”.

Ai gjithashtu shprehet se festa e Kurban Bajramit sjell gëzime të mëdha në familjet dhe mbarë muslimanët në vend dhe më gjerë.

“Kurban Bajrami është Festë e madhe sepse në vete përmban shumë dimensione historike dhe shoqërore me domethënie të jashtëzakonshme për njerëzimin në përgjithësi, e për besimtarët në veçanti”, thuhet në urimin e kreut të BFI-së.

Fetahu gjithashtu thotë se gjatë ditëve të Kurban Bajramit realizohet detyra e therjes së kurbanëve që paraqet porosinë kryesore për afirmimin dhe forcimin e dinjitetit njerëzor.

“Festa e Kurban Bajramit është festë e gëzimit të madh sepse me aktin e therjes të kurbanit, besimtari e ngrit veten lartë duke shfaqur bindjen e vërtetë në një Zot, dhe kultivon moral të lartë, mbisundon epshin dhe emocionet. Me këtë sakrificë për hirë të Zotit synojmë të mbisundojmë ndaj materiales dhe epsheve tona”, thuhet në urim.

Kreu i BFI-së gjithashtu thotë se festa e Kurban Bajramit formon ambientin e paqes dhe tolerancën në mes njerëzve, është festë e afrimit në mes njerëzve, kujdesit ndaj të varfërve, shtrirja e dorës së pajtimit. /aa