Maratonë me pengesa drejt Europës!

Daut Dauti

Duke i futur çështjet bilaterale historike si kritere, Bullgaria nuk e ka vetëm rolin e palës, por të arbitrit, i cili vazhdimisht do të përcaktojë nëse lëshimet e Maqedonisë së Veriut ndaj kërkesave të saj janë të mjaftueshme dhe kështu ta zvarrisë anëtarësimin e saj në pafundësi, derisa të mos i arrijë qëllimet e veta. Shantazhet e anëtareve të BE-së ndaj fqinjëve, që imponohen si kritere jashtë kritereve të negocimit, e rrisin frustrimet dhe euroskepticizmin.

Shkruan: Daut DAUTI, Shkup

Parlamenti i Maqedonisë së Veriut e votoi propozimin francez, për të cilin propozuesi dhe hartuesi i saj, Makron, tha se ndoshta nuk është më i miri, por është një kompromis. Sikundër që asnjë tezë a teori ose edhe e vërtetë nuk është absolute, edhe për propozimin francez do të debatohet edhe një kohë të gjatë nëse fitoi Maqedonia e Veriut atë që deshi apo Bullgaria e imponoi vullnetin e më të fortit. Tash për tash, zërat bullgarë se kanë fituar ç’kanë dashur janë më të fortë se në Maqedoni të Veriut. Në këtë vend, ata që qëndrojnë pas kompromisit, të gjithë në një, e përsërisin çështjen më të problematizuar, atë të gjuhës dhe identitetit, si diçka që tashmë është siguruar. Pikëpyetjet tjera, ato të kushteve të “protokollit”, mbeten t’i dëshmojë koha nëse janë si ato disiplinat e atletikës vrapime me pengesa, edhe atë jo “sprint” në 100, 200 a 400 metra, por një maratonë dhjetërakilometërshe. Vetë maratona është një disiplinë shteruese për çdo garues, e lëre më kur garuesit tjetër që është konkurrent jolojal i drejtpërdrejtë, i është lejuar që të vë ndërkëmbëzën në çdo metër!

Loja me referendumin

Ndryshe nga Marrëveshja e Prespës për ndryshimin e emrit, që kryesisht e gëzonte mbështetjen e LSDM-së dhe qarqeve liberale maqedonase, “propozimi francez”, gjegjësisht korniza negociuese e BE-së, hasi në kundërshtim shumë më të gjerë te maqedonasit: OJQ-të, spektri akademik, mediat me politikë redaktuese liberale, artistë të shumtë, deri te populli i thjeshtë, ish-pjesëmarrës të “revolucionit të larmë”…. LSDM-ja, përkundër të gjitha dilemave, e mori edhe një rrezik mbi vete, duke e çuar përpara procesin me “propozimin francez”, si një lojë pokeri ku qëllimi nuk është të fitojë individi ose subjekti politik, por shteti, me gjithë mangësitë që mund t’i ketë projekti politik që ia mundëson anëtarësimin në BE. Një altruizëm i pashembullt nga ky subjekt, sepse nga përvoja kemi parë se partitë nuk flijohen për interesa të vendit. Ndoshta edhe e duke e pasur parasysh kontekstin e gjithë projektit, LSDM-ja mëton ta ndajë përgjegjësinë me partinë tjetër, VMRO, me logjikën: ja, ne i hapën negociatat, e tash ju, nëse keni guxim, kundërshtojeni hyrjen në BE! Pikërisht me këtë kontekst edhe mund të shpjegohet kundërshtimi aq i ashpër i Hristijan Mickovskit dhe partisë së tij, që nesër të mos i mbetet “jadeci” në dorë!

VMRO-DPMNE-ja, duke qenë ashtu siç e njeh publiku ose siç paraqitet në sytë e tij, që gjithmonë ka kundërshtuar çdo proces të domosdoshëm, duke i shitur popullit shpresë joreale për zgjidhje më të mirë, ka paralajmëruar 150.000 nënshkrime për nxitje të referendumit për refuzim të kornizës negociuese siç është tani. Kjo na e përkujton referendumin e vitit 2004 kundër ndarjes territoriale, por – ndryshe nga atëherë – kur SHBA-ja shpalli garanci për lidhje speciale me Maqedoninë dhe referendumi dështoi, kësaj radhe zor se mund të përsëritet skenari i njëjtë. Kësaj radhe situata mund të jetë e krahasueshme me referendumin që shpalli qeveria pas Marrëveshjes së Prespës, por që nuk fitoi përqindjen e duhur të daljes dhe u kalua në interpretim se referendumi ka karakter “këshillues” dhe gjithë barra i mbeti Kuvendit. Në referendumin eventual të tashëm mund të përsëritet dështimi nëse LSDM-ja, BDI-ja dhe partitë tjera shqiptare do ta mobilizionin anëtarësinë për ta bojkotuar dhe ai të dështojë me dalje të ulët. Në anën tjetër, mund të jetë edhe një test për opozitën, që nëse arrin të sigurojë mbi 51 për qind dalje, kjo domethënë se e ka të garantuar fitoren për zgjedhjet e ardhshme. Si do që të jetë, me ose pa referendum, dështimet e shumta, mosrealizimi i premtimeve, korrupsioni për të cilën ankohej kur ishte në opozitë, perceptimi për forcim të faktorit shqiptar, si dhe tani qëndrimi mbrapa “propozimit francez”, do të bëjë që në zgjedhjet e ardhshme LSDM-ja të humbë në mënyrë drastike dhe të fitojë VMRO-DPMNE dhe Levica.

Kthimi i VMRO-DPMNE-së në bashkëpunim me Levicën e forcuar do ta fuste në pozicion të vështirë faktorin politik shqiptar. Ato dy parti e kanë bërë të qartë kundërshtimin e Marrëveshjes së Prespës dhe kur të jenë në pushtet mund të shkaktojnë incidente diplomatike me Greqinë dhe fërkime me Perëndimin, duke refuzuar ta përdorin emrin e ri “Maqedonia e Veriut”. Kundërshtimi i tyre i “propozimit francez” është po ashtu burim serioz i rreziqeve. Korniza negociuese e parasheh ndryshimin e kushtetutës për futje të bullgarëve në preambulë (që VMRO-DPMNE mund ta pengojë edhe duke qenë në opozitë), si dhe përmbajtjen ndaj një protokolli të veçantë bilateral RMV-BG, që parasheh lëshime kur vjen puna te historiografia zyrtare. Për këtë të fundit mund të paraqiten mosmarrëveshje edhe duke qenë LSDM-ja në pushtet, por e kaluara e VMRO-DPMNE-së me rastin e Greqisë na mëson se ata janë të gatshëm të konfrontohen me fqinjët edhe kur kjo shkon në dëm të shtetit. Ndërkaq, dëmi kryesor do të ishte ndaj procesit të integrimit në BE që ka rëndësi jetike për faktorin politik shqiptar. Ky faktor luajti rol vendimtar në arritjen e kompromisit me Bullgarinë, duke pasur përfaqësuesin e vet në krye të diplomacisë, Bujar Osmanin, por pikërisht ky fakt i ka dhënë shkas opozitës të krijojë edhe nga ky rast kontekst ndëretnik. Sepse, sipas liderit të opozitës, Hristijan Mickovski, BDI-së ka bërë gabim historik, duke bërë pakt me Bullgarinë për t’i shitur interesat e popullit maqedonas, duke krijuar plagë të përhershme në memorien kolektive. S’do mend se kjo shitet shumë lehtë, si shumë here më parë, te pjesa e indoktrinuar e qytetarëve dhe është parakusht i suksesit të kundërshtimit.

Një problem tjetër potencial është rusofilia e hapur e mbështetësve të VMRO-DPMNE-së dhe ajo e vetë krerëve të së Majtës. Duke pasur dyshime për dhënie të sekreteve të NATO-s duke qenë LSDM-ja në pushtet, situata nesër mund të bëhet edhe më e keqe me organet e sigurisë të udhëhequra nga kuadro të VMRO-DPMNE-së dhe Levicës.

Tash për tash jemi në fazën se si të vihet deri te referendumi. A do të realizohet ajo që e ka thënë Katica Qullafkova, akademike, se çdo gjë që kanë nënshkruar individët, një ditë populli do ta shlyejë?

Asimetria e pozicioneve në dëm të më të dobëtit

Kryesorja në këtë rrugë të gjatë për Maqedoninë e Veriut është çelja e negociatave, që ndodhi me mbledhjen e përbashkët BE-Shqipëri-Maqedoni e Veriut më 19 maj, por ky është vetëm kapitulli fillestar, sepse mbetet dilema se si do të sillet Bullgaria në fazat e mëtutjeshme. Një gjë është nëse palët negociuese sillen “në mënyrë europiane”, e ndryshe nëse sillen si “ballkanas”. S’do mend se sjellja e deritashme e paprinciptë e Bullgarisë, duke shkelur marrëveshjen e fqinjësisë dhe bashkëpunimit, ku nuk ka kurrfarë kushtesh që duhej vënë Maqedonisë së Veriut e as çështjet bilaterale që duhet përdorur për të penguar fqinjë anëtar i BE-së, nuk lënë shumë vend për optimizëm. Duke qenë anëtare e BE-së, ajo e përdor të drejtën e vetos dhe askush asgjë nuk mund t’i bëjë, aq më tepër tash kur kërkesat e saj janë futur në kornizën negociuese. Në shumë raste pata vënë në dukje se Maqedonia e Veriut duhej të shpallte moratorium të negociatave me Bullgarinë përderisa ajo luante me të si macja me miun, duke keqpërdorur pozitën e vet. Pikërisht futja e kushteve, që s’janë kritere për aderim në BE, është fitorja e madhe e Bullgarisë. Duke i futur çështjet bilaterale si kritere, Bullgaria nuk e ka vetëm rolin e palës, por dhe të arbitrit, i cili vazhdimisht do të përcaktojë nëse lëshimet e Maqedonisë së Veriut ndaj kërkesave të saj janë të mjaftueshme dhe kështu ta zvarrisë anëtarësimin e saj në pafundësi, derisa të mos i arrijë qëllimet e veta. Se si duket bilateraliteti asimetrik, kjo shihet që në këtë fazë: Bullgaria kërkon dhe Maqedonia e Veriut pranon t’i fusë bullgarët në kushtetutë, që është gjëja më pak problematike, ndërkaq Maqedonia e Veriut detyrohet të heqë dorë nga interesimi për qytetarë që s’janë të saj. Pra, aq sa janë me vetëdije maqedonase në Bullgari, nuk ka të drejtë t’i përmendë që fare ekzistojnë!

Kështu, asimetria krijon padrejtësinë. Kur dy shtete kanë probleme, ato janë të dyanshme. Shihni insistimin e Bullgarisë, që shkon përtej çdo norme të mirësjelljes dhe qasjes parimore lidhur me ngjarjet historike. I lëmë anësh çështjet e origjinës, por le ta marrim si shembull Luftën e Dytë Botërore. Ajo mund të ngulë këmbë gjer në fund, me apo pa argumente, që ta mohojë okupimin bullgar. Ndërkaq, nuk është çështja se a do të quash pushtim, okupim apo administrim, ngase pala bullgare dëshiron ta shlyejë një të vërtetë, nga e cila vetë bullgarët janë distancuar – se Bullgaria ka qenë aleate e nazizmit të Hitlerit. Disa vite më parë autoritete dhe media bullgare patën çuar pluhur rreth filmit maqedonas “Pjesëloja e tretë”, që fliste për deportimin e hebrenjve! Donin të thoshin se kjo nuk është e vërtetë, ndërkaq e vërteta është ndryshe. E vërteta nuk mund të fshihet me veto a me dëshirën e më të fortit, sepse para dy vitesh u botua një libër me dokumente ku dëshmohej se Bullgaria cariste, si bashkëpunëtore e nazizmit, ka pranuar “rekomandimin” e Hitlerit, madje ka marrë vendim në parlamentin bullgar për marrjen e pasurisë së hebrenjve dhe deportimin të tyre. Kjo masë pastaj është zbatuar, si në Bullgari, ashtu edhe në Maqedoni dhe këto janë fakte. Dhe, sa mund të jetë parimore “pastrimi i historisë”, kur bashkëpunimi me nazizmin është një episode komprometuese historike përgjithësisht, sepse edhe në Bullgari ka pasur lëvizje kundër nazizmit, ndërkaq kur të vijë çështja që kjo të shkruhet në librat e historisë në Maqedoni të Veriut, kjo e vërtetë duhet “të kursehet”, duke u relativizuar!

Fundja, çështjet për të cilat i vuri kushtet Bullgaria, janë çështje të karakterit të shkencës, e jo kritere për BE. Çështjet shkencore asnjëherë nuk mbyllen dhe ato duhet të jenë objekt trajtimi në atë fushë. Bullgaria e shtron çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase si të afërt me atë bullgare, njësoj siç në këtë temë mund të debatojnë serbët me boshnjakët e malazezët, madje dhe me kroatët dhe anasjelltas. Këtu dhe nuk ka ndonjë problem, madje në kohën e miqësisë së kryeministrit Zaev dhe atij bullgar, u nis një iniciativë për nderim të përbashkët të disa figurave historike (Samoili, Goce Dellçevi…). Të gjithë këta popuj flasin gjuhë shumë më të përafërt se ajo e bullgarëve dhe maqedonasve. Gjallesat lindin dhe vdesin, lindin edhe popujt në kushte të caktuara historike, dikush më herët e dikush më vonë. Debatet mund të vazhdojnë nëpër konferenca, simpoziume e revista shkencore, por jo të jenë kushte që dikush dikujt ia vë me veton e vet.

Të njëjtën gjë mund ta bëjë Greqia me Shqipërinë. Greqia është anëtare, kurse Shqipëria pretendente. Si në përrallën e ujkut me delen, ajo mund ta kushtëzojë Shqipërinë me të drejtat e minoritetit grek, ndërkaq nga Shqipëria të kërkojë që të mos interesohet për çamët dhe shqiptarët e tjerë, që tash dhe mund të jenë çështje e mbyllur për shkak të asimilimit! Vite më parë, Greqia ishte tepër e interesuar dhe insistonte që Shqipëria në regjistrim e popullsisë ta garantojë deklarimin e përkatësisë etnike, ndërkaq vetë nuk e bën këtë! Sepse, atje të gjithë deklarohen dhe ndjehen si grekë! Kjo Greqi as atë ligjin e famshëm të luftës nuk e ka hequr!

Shih rrushi rrushin!

Kontesti maqedono-bullgar, madje përtej atij të mëparshmit greko-maqedonas për emrin, krijoi një precedent dhe i mbushi mend edhe “fqinjët” e tjerë të BE-së… Tash edhe Kroacia do t’i kushtëzojë fqinjët me çështjet historike! Ajo ka “shumëçka” për të rregulluar me Serbinë, Bosnjën dhe Malin e Zi, sepse, siç shkroi gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, shembulli i Bullgarisë ka krijuar precedent, duke i bërë çështjet bilaterale historike si pjesë zyrtare të negociatave me BE-në. Debati në Kroaci tashmë paska filluar ta ndjekë veprimin e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Akademia e saj e Shkencave dhe Arteve paska përgatitur një punim shkencor me titull “Kontributi për mbrojtjen e interesave kroate” dhe në të janë paraparë disa kushte për t’i bllokuar fqinjët. Ndaj Bosnjës mund ta vënë kushtin që kroatët, njësoj si serbët, të fitojnë një entitet shtetëror në vete brenda shtetit, me të gjitha të drejtat që i takojnë, ndërkaq në pjesën historike do të kërkonin nga Bosnja t’ua njohë kroatëve rolin në mbrojtën e shtetit boshnjak ndaj agresionit serb (1992-1995). Kjo është një çështje kontroverse, kur dihet se në një periudhë të luftës ose madje deri në fund, ata luftuan edhe kundër forcave boshnjake! Do të kërkonin që të mos ndiqen më kroatët për krime lufte. Nga Mali i Zi, siç ka shkruar shtypi, do të kërkonin vende të garantuara përfaqësimi për kroatët, por ndoshta dhe të paguajë reparacione lufte për pjesëmarrjen malazeze në anën e agresorit serb, sidomos për shkak të sulmit ndaj Dubrovnikut, që vinte nga territori malazez. Në këtë opsion të vënies së vetos kuptohet që çështjet më problematike dhe më të shumta do të drejtoheshin ndaj Serbisë. Këtu, para së gjithash, mund të kushtëzohet me qëndrimin ndaj Jasenovcit për shkak të “fryrjes së mitit” për të si llogore më e madhe e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore në Jugosllavi, organizuar nga Shteti i Pavarur Kroat, që ishte bashkëpunëtor i fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë. Lidhur me këtë llogore, që nga fundi SFRJ-së ishte hapur debati dhe atëherë flitej për një shifër prej 700.000 viktimash, ndërkohë që kjo shifër është rrëgjuar në 70.000, por që nuk është se viktimat ishin vetëm serbë, por kishte dhe hebrenj, romë dhe madje kroatë me orientim komunist. Sido që të jetë e vërteta, ajo e fryrë nga Serbia apo kjo e shfryrë nga kroatët, Akademia e Shkencave dhe Arteve kërkon nga qeveria që këndvështrimi ndaj Jasenovcit të jetë obligues për Serbinë nëse dëshiron të hyjë në BE.

Çështja nuk qëndron te fakti se ka apo nuk ka probleme ndërfqinjësore, që nga ato politike e gjer te ato historike. Problemi qëndron se ato konteste nuk zgjidhen me argumente politike ose shkencore, por me “argumentin” e pozicionit të njërës palë. Ai vend që është në BE, në pafundësi mund të të kontestojë gjithçka gjersa të mos realizojë qëllimin e vet, kurse vendit pretendent i bie që ose të pranojë diktatin e fqinjit të vet ose të heqë dorë prej BE-së! Në shembullin e Maqedonisë së Veriut, të jemi të sinqertë dhe të themi se kjo situatë ka shtuar jo vetëm euroskepticizmin, por dhe ka inkuruajuar forcat politike për orientime të tjera gjeopolitike.

Paramendoni të hyjë Serbia në BE para se ta njohë Kosovën! Asnjëherë kosovarët s’do t’i kishin parë më dyert e Europës.

KRITERE PA KRITERE…

Mosliberalizimi i vizave për Kosovën dhe mosdhënia e statusit kandidat për Bosnjë-Hercegovinën edhe njëherë e zbuloi që “kriteret”, “kushtet” dhe “standardet”, që me plot gojë i përmend Bashkimi Europian, janë thjeshtë pretekst, sepse në realitet ka dhe vendime që merren sipas përllogaritjeve të tjera. Në bazë të çfarë “kriteri” qytetarët e Republikës së Kosovës janë më pak meritorë për lëvizje të lirë se qytetarët e Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë? Faji nuk mund t’i lihet as korrupsionit të elitës politike të Kosovës, sepse në çdo variant Kosova është shtet më demokratik, më stabil dhe më serioz se këto tre që u përmendën e që BE i favorizon para Kosovës.

Është e vërtetë se Bosnja dhe Hercegovina ka shumë probleme në funksionimin e brendshëm, por në bazë të çfarë kriteri Ukraina e meriton statusin kandidat për BE përderisa për momentin Ukraina nuk e kontrollon territorin sa 3 herë Bosnja dhe Hercegovina? As hatri i solidarizimit si viktimë nuk mban, sepse prapëseprapë ukrainasit dhe Ukraina nuk kanë hequr aq shumë sa Bosnja-Hercegovina dhe boshnjakët. Nëse do të ishte kriteri i marrëdhënieve me fqinjët, Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia kanë shumë më tepër konteste të kësaj natyre.

Po të ishin të njëjtat kritere, Bullgaria, Rumania e Greqia asnjëherë s’do të duhej të ishin brenda BE-së, sepse ato edhe më herët kanë pasur këso problemesh. Edhe me kushtet tjera, ato që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, janë nën nivelin e një Maqedonie të Veriut ose të Shqipërisë. Vijmë prapë te e vërteta e pozicionimit. Dikush që ka hyrë në BE e dikton fatin e të tjerëve pikërisht falë pozicionit të vet, që e keqpërdor në mënyrën më të vrazhdë. /shenja