Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Marrëveshje armëpushimi mes qeverisë siriane dhe SDF-së: dorëzim administrativ dhe integrim forcash

Marrëveshje armëpushimi mes qeverisë siriane dhe SDF-së: dorëzim administrativ dhe integrim forcash

Qeveria siriane dhe Forcat Demokratike Siriane (SDF) kanë arritur një marrëveshje armëpushimi, e cila parashikon ndryshime të mëdha administrative dhe ushtarake në verilindje të Sirisë. Marrëveshja u njoftua pak kohë më parë, ndërsa autoritetet kanë bërë publike pikat kryesore të saj.

Sipas marrëveshjes, do të bëhet dorëzimi i menjëhershëm dhe i plotë administrativ dhe ushtarak i provincave Deir ez-Zor dhe Raqqa tek autoritetet në Damask.

Qeveria siriane është zotuar se nuk do të ndërmarrë veprime kundër punonjësve, luftëtarëve apo anëtarëve të administratës civile ekzistuese të SDF-së në këto zona.

Marrëveshja parashikon gjithashtu që të gjithë personeli ushtarak dhe i sigurisë i SDF-së do të integrohet individualisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme të Sirisë, pas kalimit të procedurave të nevojshme të verifikimit të sigurisë.

Një dekret presidencial do të emërojë një kandidat si guvernator të provincës Hasakah.

Në aspektin e sigurisë, shteti sirian angazhohet të vazhdojë luftën kundër organizatës ISIL (ISIS) si anëtar aktiv i koalicionit ndërkombëtar, në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Sipas marrëveshjes, të ndaluarit e ISIL-it dhe kampet ku ata mbahen do t’i kalojnë nën administrim qeverisë siriane.

Marrëveshja shihet si një zhvillim i rëndësishëm në përpjekjet për stabilizimin e rajonit dhe rivendosjen e kontrollit shtetëror mbi territore të gjera në lindje dhe verilindje të Sirisë. /mesazhi