Masakra e Bllacës, a ka krim më të madh se krimi i harresës

Shkruan: Ismail BARDHI

Një urtësi sofiste thotë: “A mund ta njohësh babanë tënd? Mundem. A mund ta njohësh këtë njeri të mbuluar? Nuk mundem. Ti je kundërthënës me vetveten, sepse ky njeri i mbuluar është babai yt. Ti, pra, mund ta njohësh e sërish mos ta njohësh babanë tënd”. Sofizmin e njëjtë sot do të mund ta zbatonim në të (pa)kuptuarit dhe të (pa)njohurit e krimit, ndërsa pyetja do të ishte: a mund t’i njohësh krimet? Krimet në këto troje janë aq shumë të mbuluara me argumente “justifikuese” saqë shumica as që dëshiron t’i njohë. Sërish bëhet fjalë për supozimin naiv se fjala “të njohurit” për çdokënd do të thotë gjendje e njëjtë e gjërave, dhe atë subjektivisht (moralisht) dhe objektivisht (në fushën e dëshmive dhe fakteve). Por këtu është interesante se vetë “njohësit”, me mendimin e vet e ndonjëherë edhe me dorën e vet, e mbulojnë mundësinë e dijes së tyre morale. Me vetëdije bëhet çmos për vetëshkatërrimin njohës mbi temën e krimeve “vendore” të luftës dhe kënaqjes së dëshirave të shumëkujt që për to asgjë mos të dihet.

Mbase duket e panevojshme që të ceken sofizma të njerëzve të cilët zakonisht edhe nuk e mendojnë seriozisht atë që e mendojnë (se e mendojnë), dhe se është më e mençme hyrja në diskutime vetëm të nivelit më të lartë. Mirëpo kur dihet se mendimi i tillë jo vetëm që është akoma mbizotërues, por se edhe e përkrahin ata të cilët mendojnë se (do të) mendojnë në emër të të gjithëve, kjo bëhet e rëndësishme. Njerëzit e tillë, në fakt, angazhohen që për disa t’i falsifikojmë lejekalimet e “të padyshuarve”edhe para ndonjë gjyqi suprem botëror, edhe para ndërgjegjes kolektive. Respektivisht, nëse animit nacional i konvenon që thjesht të thotë se ndërgjegjen kolektive e ka të qetë, ndërsa për ndërgjegjet e huaja të përsiasë, kjo tregon sesa kombi ka “mbrojtje” brenda të vetëve. Mirëpo, meqë morali është i paanshëm, atëherë përfundimi i vetëm fatlum këtu do të ishte pamundësimi i falsifikuesve të veprave njerëzore në ritushimin e vetëdijes kolektive. Ajo që të gjithë popujt nga këto treva do të kryejnë shëtitjen rituale në udhët e tyre pa udhë, gjatë së cilës do të shkelin mbi viktimat e mbuluara edhe nga vetvetja, nuk do t’ua japë atyre kualifikimin për autostradat moderne evropiane, por vetëm për vuajtjet e mëtejme ballkanike. Ata të cilët përskaj regjistrimit të të gjallëve nuk do ta bëjnë edhe regjistrimin e të viktimizuarve, nuk kanë asnjë udhë nëpër të cilën duke shkuar përpara nuk arrijnë vetëm aty nga janë nisur – në të kaluarën mjaft të errët.

Është interesante se në këtë lloj të menduari – qoftë që atë ta përkrahin të padijshmit, gjysmë të arsimuarit apo kokat e mençura – nuk mund të shtohet as numri i “argumenteve” e as imtësitë e argumentimit. Aty thjesht nuk ka më tepër material dëshmues për të arsimuarin sesa për të paarsimuarin – as koka e mençur nuk mund të bëjë asgjë më të vlefshme nga vetë ajo që është në vete. Madje edhe kjo është dëshmi për parregullsinë e të menduarit të tillë: ajo që është moralisht e vërtetë përmban në vete mundësinë që të shtjellohet dhe argumentohet, ndërsa e pavërteta morale është material i rrejshëm dhe monoton për çfarëdo shqyrtimi. Nga ana tjetër, në përkrahjen e tezës se të gjithë kriminelët duhet të përgjigjen (dhe se është më së miri që çdokush të përkujdeset për “të vetët”), ekzistojnë më shumë nivele në interpretimin dhe argumentimin dhe një mori dëshmish etike, sepse nga qartësia morale rrjedhin shumë argumente tek ata që me vetëdije i përkrahin. Disa kanë intuitë morale se për krimin duhet përgjigjur thjesht dhe pa kurrfarë MIRËPO, ndërsa të tjerët të cilët posedojnë moral më tepër inteligjibil këtë edhe e argumentojnë. Prandaj edhe qëndron ajo që dikush ka vërejtur se për të pandehurit e njërës anë menjëherë vjen përgjigjja “e pse jo filan filani i tyre?”, dhe atë me një reagim refleks, paramoral. Prandaj vendimtar është raporti i vendosur ndaj së keqes, kështu që këtu mendja as që ndihmon shumë e as që e dëmton atë.

Kështu do të ishte mirë të mendojmë ne të gjallët që kemi harruar, harrojmë e harrojmë, mësohemi të harrojmë, e pastaj me vonesë fillojmë ta mësojmë harresën. A ka krim më të madh se krimi i harresës në përgjithësi, e në veçanti krimi i harresës së masakrës së Bllacës, masakër nga e cila nuk mbeti paprekur asnjë shtëpi bllacjane, asnjë fis e asnjë familje. Kryerësit e masakrës bënëçmos që kjo çështje të harrohet,madje i rrafshuan edhe varrezat e të vrarëve, vetëm me qëllim që mos të mbeten gjurmë për këtë “holokaust” të Bllacës.

Nuk është e mundshme të harrohen evokimet e pleqve dhe nënavetë Bllacës: Ne menduam se mbaroi lufta, filluam t’i besojmë civilizimit dhe kulturës, drejtësisë dhe lirisë; i ushqyem, u përgatitëm haje e pije – e “ata” (ateistët komunistë) na vranë, na dogjën, na përvëluan.Koha ishte shumë e vështirë, kur e humbi kuptimin jeta dhe vdekja, na e shkretuan Bllacën. E tërë Bllaca prej fshatit e deri te Hani i Elezit ishte shtruar me trupa të vrarë, të pushkatuar, ku nuk na lanë as që t’i varrosim,e mos të flasim për kohën dhe kushtet e dimrit në fshat, kur edhe ne të gjallët ishim drejtpërsëdrejti të ballafaquar me vdekjen.

Meqë ky është një rast i përkujtimit të dëshmorëve, shehidëve, më lejoni që t’ju drejtohem pak edhe atyre, sepse më duket se në kohën që jetojmë është shumë më mirë të flitet me ta, sesa mes nesh.

Vëllezër tanë, unë besoj në atë që thotë Kur’anise shehidët nuk janë të vdekur, dhe mu për këtë arsye juve ju drejtohem:ne nuk ju kemi harruar, por me dashuri të madhe dhe lot në sy ju kemi kujtuar; për ju na kanë treguar edhe prindërit tanë dhe dëshmitarët e gjallë të asaj ngjarjeje, që sot janë në mesin tonë. Por dijeni se krimi vazhdoi edhe pas jush, vetëm për arsye të përmendjes së emrave tuaj shumë njerëz u përndoqën, u burgosën. Nuk lanë pa prekur asgjë të shenjtë, as gjuhë as fe. Është për t’u habitur se ata më tepër frikësohen nga ju sesa nga ne.

E ç’tju themi për ne. Po e citoj një mendim të një shkrimtari mjaft të njohur (M. Selimoviqit), e që më duket se më së miri e përshkruan gjendjen tonë: “Ne nuk jemi të askujt. Gjithmonë jemi në ndonjë megje, gjithnjë miraz i dikujt. Me shekuj kërkohemi dhe njihemi, së shpejti nuk do të dimë se kush jemi. Jetojmë në kufirin e botëve, në kufirin e popujve, gjithmonë fajtorë dikujt. Mbi ne përplasen valët e historisë sikur mbi një shkëmb. Jemi të shkëputur, e të papranuar, sikur rrembi të cilin rrebeshi e ka ndarë nga nëna e nuk ka më as rrjedhë, as shtrat, tepër i vogël për të qenë liqe, tepër i madh që ta thithë toka. Të tjerët na bëjnë nder që të shkojmë nën flamurin e tyre, edhe pse e kemi tonin. Na gënjejnë kur kanë nevojë, ndërsa na largojnë kur e kryejmë tonën. Fatkeqësia është se si duket e duam këtë amulli dhe nuk duam të dalim jashtë saj, ndërsa çdo gjë paguhet – madje edhe kjo dashuri. Gjithkush mendon se do t’ua kalojë të tjerëve dhe këtu qëndron fatkeqësia jonë. Çfarë njerëz jemi ne? Ne jemi njerëzit më të ngatërruar në botë, me askënd historia nuk është tallur si me ne. Dje ishim ajo që sot dëshirojmë ta harrojmë, e nuk jemi bërë diçka tjetër. Me ndjenjë të paqartë të turpit për shkak të fajit dhe rebelimit, nuk dëshirojmë të shikojmë prapa, e nuk kemi se ku të shikojmë përpara. A thua është e rastit që jemi aq shumë të butë dhe të ashpër, të përkëdhelur e të ngurrtë. A thua rastësisht strehohemi pas dashurisë si vërtetësi e vetme në këtë papërcaktueshmëri, përse? Për shkak se nuk jemi nga ata që s’na bëhet vonë. E kur nuk jemi nga ata, do të thotë se jemi të ndershëm.”

“O ti shpirt i qetësuar, kthehu tek Zoti yt i kënaqur, e edhe Ai i kënaqur me ty. Dhe hyr mes robërve të Mi, hyr në xhennetin Tim!” (Amin)

(Kur’an, 89 : 27-30)

Bllacë, 25.04.2004

(Fjalim i mbajtur me rastin e vendosjes së gurthemelit të Qendrës Memoriale në Bllacë, masakra e 16-17 nëntorit 1944)