Mbahet Maratona e 41-të e Stambollit

Në Stamboll u mbajt maratona e 41-të e cila zhvillohet me sponsor Vodafone nga ‘Spor İstanbul‘ kompani ndihmëse e Bashkisë së Madhe të Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).

Maratona startoi në pjesën e Anadollit në urën “Dëshmorët e 15 Korrikut” me sloganin “Stambolli është i yti, mos ndalo vrapo”.

Startimi i këtij organizimi është realizuar nga ministri i Rinisë dhe Sportit, Mehmet Muharrem Kasapoğlu, prefekti i Stambollit Ali Yerlikaya, kryebashkiaku Ekrem İmamoğlu, drejtori i përgjithshëm për sportin, Mehmet Baykan, drejtori i përgjithshëm për sportin në Stamboll, Renay Onur, presidenti i Federatës së Atletizmit të Turqisë, Fatih Çintimar si dhe zv. kryetari i Bordit ekzekutiv të Vodafone Turkey, Engin Aksoy.

Në një fjalim para se të fillojë maratona ministri Kasapoğlu ka tërhequr vëmendjen në fuqinë bashkuese të sportit. “Jemi të lumtur që ndodhemi këtu bashkë me ju. Gjithashtu këtu janë edhe sportistët me të cilët ne krenohemi. U uroj mirëseardhjen sportistëve që kanë ardhur në Stambollin tonë me frymën bashkuese të sportit. Do të lidhim Azinë me Evropën, do të bashkojmë zemrat. Me frymën e sportit do të ecim me rininë tonë nesër. U uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve”, tha ai.

Ndërsa kryebashkiaku i Stambollit İmamoğlu ka vënë në dukje se në asnjë vend tjetër të botës nuk ka një pozitë të tillë gjeografike. “Kjo është një veçori që i përket vetëm vendit, qytetit tonë të bukur. Do të bëjmë kalimin nga Anadolli në Trakia, nga Azia në Evropë. Këtu ka një frymë, një shpirt të mbushur me dashuri, paqe, qetësi. Uroj që ky vrapim të sjellë paqe për Stambollin, të gjithë vendin dhe botën. Suksese të gjithëve” shtoi İmamoğlu.

Gara e maratonës filloi në urën “Dëshmorët e 15 Korrikut” dhe përfundoi në sheshin Sultanahmet me një gjatësi prej 42 kilometra e 195 metra. Tek meshkujt atleti kenian Daniel Kipkore Kibet përfundoi i pari garën me 2.09.44 duke thyer edhe rekordin e pistës i cili më parë ishte 2 orë e 9 minuta e 57 sekonda të kenianit Felix Kimutai fitues i garës së vitit të kaluar.

Në maratonë i dyti është renditur keniani Yitayal Atnafu Zerihun me 2.09.57, ndërsa i treti sportisti kenian Peter Kwemoi Ndorobo me kohën 2.10.09.

Atleti që ka vrapuar në emër të Turqisë, Polat Kemboi Arıkan ka përfunduar maratonën në vendin e 6-të me kohën 2.12.57.

Atletja etiopiane Hirut Tibebu ka fituar vendin e parë në maratonën e 41-të në Stamboll. Tibebu është renditur e para me kohën 2.23.40 në garën e maratonës për femra që filloi në urën “Dëshmorët e 15 Korrikut dhe përfundoi në sheshin Sultanahmet me një gjatësi 42 km e 195 metra.

Ndërsa e dyta është renditur etiopiania Tigist Abayechew me kohën 2.24.15 dhe e treta keniania Maurine Chepkemoi me kohën 2.24.16 .

Ndërkohë atletja Büşra Nur Koku që ka vrapuar në emër të Turqisë ka përfunduar maratonën në vendin e 8-të.

– Vrapuan rreth 140 mijë sportistë

Në maratonën e 41-të të Stambollit morën pjesë rreth 140 mijë persona nga 106 shtete. Në këtë organizim në garën me çip prej 42 kilometra e 195 metra vrapuan rreth 4.000 sportistë ndërsa në vrapimin prej 15 kilometra rreth 33 mijë sportistë dhe në vrapimin prej 8 kilometrash rreth 100 mijë qytetarë.

Ndërkohë vrapimi prej 15 kilometrash ka marrë emrin si “Rruga garuese ku vrapojnë më shumë sportistë në Turqi”.