Mbajtja e fjalës (Besa)

Ilmi Rexhepi

Krejt gjithësia u përmbahet fjalëve të Allahut. Çdo gjë që u bë, u bë me urdhrin e Tij dhe çdo gjë që ndodh, ndodh me lejen e Tij.

Shpirtrat tanë, para se të na gjendeshin trupat, i patën dhënë besën Allahut se do ta njihnin për Zot. Ta pranosh Allahun për Zot në këtë jetë, është mbajtje e fjalës tënde, mbajtje e besës.

Populli ynë, qysh nga lashtësia, është njohur për këtë vlerë, për mbajtjen e besës. Mbase, pikërisht për shkak të kësaj, të parët tanë janë quajtur ‘Ilirë (të prejhyjnishëm)’. Kur rilindasit donin ta krenonin popullin tonë para të tjerëve, i theksonin nga virtytet morale besën, të kujtojmë veprën e Sami Frashërit ‘Besa’.

Besnikëria e tyre, gatishmëria për të pranuar të vërtetat, përmendin historianët e paanshëm, kanë qenë ndër shkaqet kryesore pse pikërisht populli ynë ka pranuar Islamin dhe jo të tjerët.

Shekuj më parë se t’u ofrohej, e ta pranonin tanët Islamin, i Dërguari a.s. e kishte thënë që ai që nuk ka besë, nuk ka as fe.

Hudhejfetu Bnu-l-Jeman-i u zu nga mushkrikët e Mekës teksa ishte nisur të shkonte në Medinë te i Dërguari a.s.. Mushrikët e kushtëzuan, i thanë që t’u jepte besën se nuk do të luftonte në radhët e Muhamedit a.s., ndryshe nuk do ta linin të shkonte në Medinë. Ai ua dha fjalën.
Kur shkoi në Medinë dhe i tregoi besën që u kishte dhënë mushrikëve, i dërguari e udhëzoi që ta mbante fjalën e të mos luftonte në radhët e tij.

Kaq rëndësi na ka mësuar zotëriu ynë a.s. se ka mbajtja e fjalës. Atë a.s., qysh para se të dërgohej, njerëzit e quanin ‘besniku’. Edhe ata që nuk ia përvetësuan predikimin e tij fetar, në njerëzi të tij, në virtyte morale të tij, besuan vazhdimisht dhe prandaj te ai linin emanetet e tyre.

Kohës së fundit që kemi jetuar në kushte të reja e të pabarabarta me të tjerët dhe të ekspozuar nga ndikime trushpëlarëse nga jashtë, janë vërejtur shkarje, devijime, por ka ardhur tashmë koha që ta marrim veten.

Krenarë me të kaluarën dhe të vendosur për ecje të shëndoshë drejt së ardhmes, ecje që e ndihmon Zoti i madhëruar!