Mbi 12 milionë persona vizituan muzetë online të Turqisë

Përmes platformës digjitale të Qeverisë së Turqisë, mbi 12 milionë njerëz vizituan 32 muzetë dhe vendet arkeologjike të këtij vendi në 10 muajt e parë të vitit 2020, njoftuan zyrtarët e turizmit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Kulturës dhe Turizmit e Turqisë më 25 mars të vitit 2020 zbuloi një portal digjital të muzeve dhe vendeve historike, pas shpërthimit të koronavirusit të ri (COVID-19), i cili goditi rëndë industrinë e turizmit.

Sipas zyrtarëve, muzetë dhe vendet arkeologjike, të cilat mbajnë miliona vepra të rralla të kulturës dhe artit, janë bërë të arritshme për vizitorët përmes një ambienti virtual në sanalmuze.gov.tr.

Më i vizituari virtualisht është Muzeu Arkeologjik Göbeklitepe, me rreth 3,5 milionë vizitorë deri më tani.

Göbeklitepe është në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Ajo u zbulua në vitin 1963 kur studiues nga universitetet e Stambollit dhe Çikagos po punonin në këtë vendndodhje.

Në portal, i cili bën që dikush të ndihet sikur ecën në vend, vizitorët mund të fillojnë turneun e tyre virtual nga çdo pjesë e muzeut.

Studentët e historisë dhe artdashësit kanë mundësinë të shohin ekspozita duke zmadhuar në format 3D, udhëtarët virtualë gjithashtu mund të kenë informacione mbi historinë e objekteve dhe vendndodhjeve.

Të interesuarit mund të kenë qasje tek një mori muzesh, pallatesh, xhami, kisha, manastire dhe fortesa të renditura nën kujdesin Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë në ktb.gov.tr.