Mbi 140 të vrarë nga një sulm në Nigeri

140 persona dyshohet se janë vrarë përgjatë gjithë javës në veriperëndim të Nigerisë.

Sipas raportimit të AFP-së, katër banorë rezidentë në këtë pjesë të Nigerisë, kanë thënë për redaksinë këtë të shtunë se personat e armatosur kanë vrarë këta persona në disa bastisje të zhvilluara gjatë kësaj kohe.

Ndërkaq, nga autoritetet nuk është konfirmuar ende asgjë në lidhje me këtë rast.

“Ne varrosëm gjithsej 143 njerëz të vrarë nga banditët në sulme”, thuhet të ketë thënë një nga burimet.

Të premten, është raportuar për më shumë se 100 të vrarë nga disa persona të dyshuar, ndërsa u tha se autoritetet vazhduan të kërkojnë trupa dhe të dyshuar pas disa ditësh prej sulmeve.

Sipas banorëve që i mbijetuan këtij sulmi dhe arritën të largohen, midis të martës dhe të enjtes, persona të armatosur kanë arritur me motoçikleta në nëntë zona të kësaj pjese të Nigerisë, ku kanë hapur zjarr mbi banorët dhe kanë djegur shtëpi. /koha