Mbi 200 kolonë hebrenj ekstremistë të udhëhequr nga një rabin dhe nën mbrojtjen e policisë izraelite kanë hyrë me forcë në kompleksin e Al-Aksasë në Kuds dhe kryen lutje talmudike në shkallët që çojnë drejt Kupolës së Shkëmbit.
Një zyrtar nga Departamenti i Vakëfit Islamik në Kuds tha për Anadolu se “215 ekstremistë hynë në xhami gjatë orëve të lutjeve të mëngjesit dhe pasdites”. Video pamjet treguan një rabin duke hyrë në kompleks me veshje fetare.
Guvernatorati i Kudsit, një organ zyrtar palestinez, shprehu “refuzimin dhe dënimin e hyrjes në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa nga rabini izraelit Tzinov dhe kryerjen e lutjeve talmudike në shkallët që çojnë drejt Kupolës së Shkëmbit”.
Guvernatorati e cilësoi ndërhyrjen si “një shkelje të hapur të shenjtërisë së vendit dhe provokim të ndjenjave të muslimanëve në mbarë botën”.
Më tej, theksoi se “këto praktika janë pjesë e përshkallëzimit të vazhdueshëm dhe shkeljeve sistematike ndaj vendeve të shenjta islame në Kuds”.
Që nga viti 2003, policia izraelite ka lejuar hyrjen e kolonëve izraelitë në kompleksin e xhamisë, pavarësisht protestave të përsëritura nga Vakëfi Islamik, i cili mbikëqyr vendin.
Që kur Itamar Ben-Gvir mori detyrën si ministër i Sigurisë Kombëtare në fund të vitit 2022, shkeljet izraelite në këtë vend janë shtuar.
Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë për muslimanët në botë. Hebrenjtë e quajnë zonën Mali i Tempullit, sipas të cilëve aty kanë qenë dy tempuj hebrenj në kohët e lashta.
Palestinezët thonë se Izraeli po intensifikon masat për judaizimin e Kudsit Lindor të pushtuar, përfshirë kompleksin e Al-Aksasë dhe për fshirjen e identitetit të tij arab dhe islam.
Ata gjithashtu theksojnë se Kudsi Lindor duhet të jetë kryeqyteti i një shteti të ardhshëm palestinez, bazuar në rezolutat ndërkombëtare që nuk e njohin pushtimin e qytetit nga Izraeli në vitin 1967 apo aneksimin e tij në vitin 1980.





