Mbi 4 mijë civilë të vrarë në Siri brenda 5 muajve

Katër mijë e 166 civilë kanë humbur jetën në Siri në pesë muajt e parë të këtij viti, njoftoi Rrjeti Sirian i të Drejtave të Njeriut (SNHR), transmeton Anadolu Agency (AA).

SNHR të dhënat i shpalosi në raportin e muajit maj në lidhje me civilët e vdekur si pasojë e luftimeve dhe sulmeve në Siri.

Sipas raportit, 774 civilë kanë humbur jetën në janar, 1.389 në shkurt, 1.241 në mars, 408 në prill dhe 354 në maj.

Raporti po ashtu bën të ditur se 74 për qind e viktimave në pesë muajt e parë të këtij viti janë vrarë nga regjimi dhe forcat mbështetëse ruse.

– Rënie në numrin e viktimave në maj

Në raport thuhet se nga 354 viktimat në muajin maj, 97 kanë qenë fëmijë dhe 52 gra.

SNHR ka tërhequr vëmendjen se numri i të vdekurve ka pësuar rënie në maj si rezultat i reduktimit të dukshëm të sulmeve të regjimit dhe mbështetësve të tij pasi morën nën kontroll zonat opozitare në Damask dhe Homs në mes të muajit.

Raporti i rrjetit sirian njofton se 107 nga viktimat e muajit të kaluar janë vrarë nga regjimi i Bashar al-Asadit.

Ndërkaq, 25 civilë muajin e kaluar kanë humbur jetën si pasojë e sulmeve të forcave ruse, të cilat i ofrojnë mbështetje ajrore regjimit të Asadit, kurse 14 civilë janë vrarë nga YPG/PKK, thuhet në raport.

Sipas SNHR-së, organizata terroriste DEASH ka vrarë 12 civilë, kurse 56 të tjerë kanë vdekur gjatë sulmeve të forcave të koalicionit ndërkombëtar kundër DEASH-it.

Shtatë civilë kanë pësuar nga opozita ushtarake, pese nga grupi i armatosur kundër regjimit Hayat Tahrir al-Sham dhe 128 nga palë të paidentifikuara.

Rrjeti sirian bën thirrje në raport për mbrojtjen e civilëve, duke kërkuar që milicët që mbështesin forcat e regjimit të përfshihen në listën e organizatave terroriste ndërkombëtare.