Mbi 800 armë në procedurë të legalizimit, vitin e kaluar 20 vrasje ndodhën nga armët pa leje

Pak kosovarë kanë aplikuar për legalizim të armëve të tyre.

Këtë e ka bërë sot të ditur zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka në një diskutim me UNDP për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta, si dhe reduktimin e armëve pa leje në Kosovë, transmeton lajmi.net.

Zeka ka treguar se gjatë vitit që lamë pas, 20 vrasje kanë ndodhur nga armët pa leje.

E në procedurë të legalizimit janë vetëm 800 armë për gjashtë muaj.

“MPB që nga dhjetori i vitit të kaluar ka hapur afatin kohorë për legalizimin e armëve.  Në këtë drejtim janë shpërndarë edhe broshura për legalizimin e armëve. I ftoj qytetarët për legalizim të armëve. Është një numër i vogël i legalizimit të armëve. Për gjashtë muaj, i kemi mbi 800 armë në procedurë. Nëse një armë legalizohet kemi shpëtuar një jetë. Armët pa leje paraqesin rrezik për shoqërinë, vitin e kaluar 20 raste të vrasjeve që kanë ndodhur kanë qenë armë pa leje”, ka thënë ai.

Zeka po ashtu ka shprehur shqetësimin për rastet e fundit të grabitjeve dhe dhunës në shkolla, ku janë përdorur armë ilegale.

Si shumë shqetësuese për Zekën janë rastet e fundit të grabitjeve, dhunës në sholla dhe familje ku janë përdorur armët ilegale.

Ndërkaq, përfaqësuesja e përhershmë në UNDP-së në Kosovë, Alessandra Roccasalvo ka thënë se e gjithë kjo fushatë po bëhet për një Kosovë më të sigurtë.