Mbi 93 mijë euro janë mbledhur në xhamitë e Prizrenit për të prekurit nga tërmeti në Turqi

Besim Berisha

Përveç institucioneve të Kosovës qindra qytetarë janë mobilizuar për të dërguar ndihma për të prekurit nga tërmeti në Turqi.

Në këtë solidarizim është bashkuar edhe Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren të cilët përmes xhamive në Prizren kanë mbledhur mbi 93 mijë euro, shkruan Gazeta e Re.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha ka thënë se pasi qytetarët morën lajmin e tërmetit kanë kontaktuar Këshillin e Bashkësisë Islame në Prizren për të treguar gatishmërinë e tyre për të ndihmuar Turqinë në mënyra të ndryshme

”Me lajmin që e morëm në mëngjesin e hershëm ku vëllezërit tanë në Turqi e ndjenë atë dridhje dhe ne këto në zemrat tona u dridhen sikur ata dhe të gjithë qytetarët më kanë kontaktuar për të pyetur se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti kështu që me kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës kemi marrë një vendim që të shtrohet një sexhade në xhamitë tona”, tha Berisha.

Duke vlerësuar ndihmat e Turqisë për Kosovën, Berisha ka thënë se ky ishte momenti që ne si populli i Kosovës ta tregojmë besnikërinë ndaj këtij shteti dhe kjo është vërtetuar pasi që brenda disa ditëve në xhamitë në Prizren janë tubuar mbi 93 mijë euro

”Turqia gjithmonë ka qëndruar afër neve qoftë para pavarësisë qoftë pas pavarësisë dhe ne si qytetarët e Kosovës kemi menduar se si mund ta kthejmë këtë ndihmë ta tregojmë besnikërinë tonë dhe në xhumanë që e lamë pas në 82 xhami të Prizrenit janë tubuar gjithsej 93 mijë euro”, tha ai.

Gjithashtu Berisha ka vlerësuar edhe mbështetjen e komuniteteve që jetojnë në Kosovë ku sipas tij të gjithë janë solidarizuar për të ndihmuar Turqinë, e cila po përjeton fatkeqësinë më të rëndë në historinë e saj

”Kemi parë një solidarizim jashtëzakonisht të fuqishme prej komunitetit boshnjak, turk dhe rom dhe komuniteteve të tjera që jetojnë në Kosovë ku nuk kanë hezituar të ndihmojnë në forma të ndryshme” ,shtoi ai. /gazetaere