Shumë gëzime e tepër urrejtje … pashë mbramë!
Fyshekzjarret u ndezën kot; – s’e ndriçuen as njenën as tjetrën!
Mëni pashë n’sytë e uritun për poste, e shkretninë në fytyrat që gëzoheshin për pak pushtet.
N’mungesë t’njeriut, fola me vetën teme: — Mos e urrej njeriun tand!
Asht i nji babe, i nji nane, i nji vllau e i nji motre.
Pse me e urrejtë gjakun tem për nji karrige a nji vend pune?
Sot asht ai, nesër do t’jetë tjetri, pastaj nji tjetër…
A duhet t’i urrej të gjithë, vetëm pse s’më pëlqejnë?
Do të më duhet me u zbrazë prej urrejtjes, me u pastrue si lumi mbas stuhisë.
Se urrejtja e dashunia janë si vëlla e motër —
vinë e shkojnë bashkë, shkrinë e ngjizen në nji gjak.
Nuk mundesh me pasë njanën pa tjetrën.
Smira, zilia e inati — janë erëra që e lëvizin shpirtin, dhe e mësojnë me u përballë me veten.
Trupi që s’dhemb, vdes pa e kuptue se ka jetue.
Prandaj, kursejeni vetën!
Mos e derdhni gjithë mllefin që keni për filanin, se filani s’ka faj për shijet tona bojna-bojna, që i mbajmë brenda vetes.
Mbramë s’më pëlqeu as gëzimi i filanit, as zilia e fistekut —
të dyja kishin shijen e mënisë.
E tepërt ishte njena, e teprueme ishte tjetra.
O njerëz!
Mos kërkoni zemër te tjetri, sa kohë që zemra juaj mungon!
Mos kërkoni shpirt te filani,kur shpirti juaj asht ba katran prej mllefit!
10.11.2025







