Mbretëria e Bashkuar miraton një vaksinë të re kundër COVID

Britania është bërë vendi i parë që miratoi vaksinën e Valneva-s për COVID-19, e cila është më e lehtë për t’u ruajtur se vaksinat e tjera dhe mbështetet në teknologjinë e vjetër të përdorur gjerësisht në vaksinat e gripit dhe poliomielitit.

Valneva, një firmë franceze bioteknike, shpreson njerëzit do ta preferojnë më shumë këtë vaksinë pikërisht prej mënyrës si është krijuar.

Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor të Mbretërisë së Bashkuar (MHRA) njoftoi autorizimin të enjten, duke thënë se injektimi me Valneva përmbushte standardet e kërkuara të sigurisë, cilësisë dhe efektivitetit.

Vaksina është aktualisht në shqyrtim nga rregullatori i barnave të Bashkimit Evropian.

Si funksionon vaksina e Valnevës?

Vaksina e Valnevës është vaksina e gjashtë për COVID që miratohet në Mbretërinë e Bashkuar, por e para e inaktivizuar nga virusi i plotë.

Në këtë lloj vaksine, virusi rritet në një laborator dhe më pas bëhet plotësisht joaktiv, në mënyrë që të mos mund të infektojë qelizat ose të replikohet në trup, por gjithsesi mund të shkaktojë një përgjigje imune.

Ky proces tashmë përdoret gjerësisht në prodhimin e vaksinave të gripit dhe poliomielitit.

Vaksina e Valneva është gjithashtu më e thjeshtë për t’u ruajtur pasi kërkon një temperaturë prej 2°C deri në 8°C të ngjashme me atë të një frigoriferi shtëpiak. Kjo e bën më të lehtë përdorimin në vendet ku ruajtja e vaksinave në temperatura ultra të ulëta. /euronews