Mbreti saudit i dërgon mesazh ngushëllimi presidentit Erdoğan

Mbreti i Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz, i ka dërguar presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, mesazh ngushëllimi për personat që kanë humbur jetën në tërmetet me epiqendër Kahramanmaraş dhe të cilët kanë prekur 10 qytete, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite, thuhet se mbreti Salman në mesazhin e tij ka vënë në dukje se “Shprehim ngushëllimet tona më të thella për popullin turk dhe familjet e atyre që kanë humbur jetën në tërmet”.

Mbreti saudit ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit dhe mëshirën e Allahut për ata që kanë humbur jetën dhe ka theksuar se “Konfirmojmë se në këtë ngjarje të dhimbshme ndodhemi pranë jush dhe ju mbështesim”.

Presidentit Erdoğan i ka dërguar mesazh ngushëllimi edhe Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.

Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, në mesazhin e tij ka uruar shpëtimin e personave nën rrënoja dhe shërim të shpejtë për të plagosurit, si dhe ka theksuar se Arabia Saudite është në solidaritet me Turqinë.

Princi saudit, Bin Salman, edhe dje zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin Erdoğan dhe i përcolli atij ngushëllimet.