Mbyllja e dy depove, reagon Kurti: Është gjetur vaj pa dokumentacion, nuk e lejojmë zhvatjen

Kryeministri Albin Kurti, ka reaguar pas mbylljes së dy depove me vaj, pas rritjes së çmimit.

Në një shkrim në Facebook, Kurti tha se në depot është gjendur vaj pa dokumentacion.

“Mbyllen dy depo. Pas një aksioni të Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, Departamentit për hetimin e Krimeve Ekonomike, në dy depo (Fushë Kosovë dhe Graçanicë) është gjetur vaj për të cilin ka munguar dokumentacioni”, tha Kurti.

Tutje theksoi se është shtuar kontrolli dhe mbikëqyrja, dhe se nuk do të lejohet zhvatja në kohë krize.

“3.49 euro për një shishe vaj është rritje artificiale. Nuk e lejojmë zhvatjen. E kemi shtuar kontrollin e mbikëqyrjen dhe do t’i ndëshkojmë ata që manipulojnë e përfitojnë në emër të krizës”, deklaroi Kurti.

Reagimi shteteror erdhi pasi për çmimin e vajit pati raportime të shumta nga qytetarët, të cilët edhe kanë kritikuar ashpër institucionet për mos reagim ndaj rritjes së çmimeve.