Me Draft-vendim, Qeveria pret që çmimi i naftës të ulet deri në 12 centë

Qeveria pritet që të marrë vendim lidhur me përcaktimin e mënyrës së rregullimit të çmimeve të derivateve.

Në draft-vendimin që ka siguruar KOHA, thuhet se do kufizohet fitimi për litër të derivateve. 2-3 centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë. Ndërsa 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese.

Vendimi parashihet të jetë për një periudhë 90 ditore.

Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë për KOHËN se sipas një llogaritjeje të fundit, vendimi i propozuar zbret çmimin e naftës deri në 10-12 centë.

“Por kjo krejt varet nga tregu. Qëllimi kryesor është të mos lejohet rritja e çmimit dhe fitimi i madh në kurriz të konsumatorit, sidomos kur çmimi bie në bursë por nuk pasqyrohet në tregun vendor. Me vendim kufizohet fitimi për litër”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ky draft-vendim është kundërshtuar nga Shoqata e Naftëtarëve.

Kryetari i Shoqatës Fadil Berijani ka thënë se ky vendim nuk i ndihmon qytetarët. Ka thënë se vendimi paraparak i Qeverisë ka sjellë kompanitë buzë falimentimit.

Berjani ka thënë se të enjten do të vendosin për masat për ta kundërshtuar këtë draft-vendim.

Të mërkurën, çmimi i naftës ka arritur kulmin, duke shkuar në 1.92 euro, lloji më i shtrenjtë.