Më mirë i lodhur se i zhgënjyer

Vehbi Zeqiri

Në të gjithë jemi duke numëruar tashmë orët deri në përfundimin e vitit 2021, dhe na ka kapluar ndjenjat e frikës, zhgënjimit, shpresës, apo edhe në disa raste gëzimit.

Nëse ndiheni të lodhur prej angazhimeve të shumta që mund t’i keni pas gjatë vitit, atëherë ju përgëzoj sepse shumë më mirë i lodhur se i zhgënjyer prej mos punës, neglizhencës, mosarritjes, zvarritjes së punëve, mos leximit, ndonjëherë edhe arsyetimit pa bazë për mos kryerje të obligimeve, etj.

Viti 2021 më nuk mund të ndryshohet aspak…, por, mbetet vetëm si mësim prej dështimeve dhe sukseseve tona. Prandaj llogaritni veten tuaj me një ‘kalkulator të sinqertë’ dhe vendosni objektiva dhe qëllime shumë më të larta për këtë vit. Kohë pas kohe, qortoni vetën tuaj në mos përmbushjen e qëllimeve.

Ndërroni rutinën tuaj ditore, sepse ajo është shkaktari i dështimeve tuaja. Nëse kjo nuk ndodh, rezultati i vitit 2022 mund të jetë i njëjtë apo për dike edhe më i keq. Fuqia e veseve apo rutinës pozitive është marramendëse. Me një hap të vogël çdo ditë, do të arrini në distanca të pa imagjinueshme

Merrni këshilla prej atyre që janë me përvojë jetësore dhe suksese më të mëdha se ju. Shkolla e jetës është universiteti më i mirë i mundshëm dhe i dëshmuar. Lexoni libra, artikuj, apo edhe ligjërata dhe shpjegime të atyre që kanë përvojë dhe kanë përjetuar vuajtje të ndryshme, mund të përfitoni detaje dhe këshilla të çmueshme.

Këshillohuni mes veti dhe përkujtojani njëri – tjetrit (njëra – tjetrës) qëllimet dhe objektivat, kjo do t’ju bëjë dobi së pari juve pastaj edhe gjithë të tjerëve. Përvojën dhe mësimet jetësore që i merrni, ju vije radha edhe juve t’ua transmetoni të tjerëve. Ashtu siç keni përfituar prej të tjerëve, të tjerët presin prej jush.

Bindja juaj është gjithçka. Nëse besoni bindshëm në aftësitë dhe angazhimin tuaj, suksesin e keni të garantuar. Truri juaj është adaptues, nëse i thoni vetës me bindje të plotë se ‘mund të arrij’, me të vërtetë do të arrini. Prandaj shfrytëzojeni këtë dhunti që ua ka dhënë Krijuesi ynë.

Nga Vehbi Zeqiri
Ekspert i Lidershipit, Menaxhmentit, Inteligjencës Emocionale, Neuro-Shkencës, etj.