Më premto!

Edison ÇERAJ

Propaganda është opiumi ma i fortë na qarkullim… Me gjuhën e teknologjisë, parajsën na e njeh “softi”, ndaj dhe priremi natyrshëm drejt premtimeve të bukura, edhe kur ato janë andrra n’beze, edhe kur arsyeja na thotë se ato janë dokrra! E prapëseprapë diçka na tërheq, diçka na kujtohet.

Shkruan: Edison ÇERAJ, Tiranë

Pse ngjit propaganda te pjesa ma e madhe e njerëzve? Pse duket sikur kemi nji lloj prirjeje natyrore me ra pre e rrenës? Pse na tërheqin kaq shumë premtimet, edhe kur arsyeja na thotë me ngulm se janë absurde? Pse dorëzohet kaq lehtë arsyeja përpara gravitetit të këtyre premtimeve?
Sepse, në thelb, njeriu është qenie religjioze (homo religiosus) dhe nuk ban dot pa iu premtu diçka, dhe jo diçka dosido, por vetë parajsa, prej së cilës është dëbuar, kujtimin e së cilës nuk e fshin dot.

Ja pse thelbi i propagandës është “ma e mira e botëve”, nji parajsë në tokë, “këtu dhe tani”. Por, parajsa nuk është e mundur “këtu dhe tani” përveçse si kopje (utopia), si rrenë, mirëpo zgjimi nga ky opium shpeshherë vjen me vonesë dhe dami është i madh. Sa ma i vonë zgjimi, aq ma i madh dami.

Ne shqiptarët u zgjuam shumë vonë prej parajsës që premtonte propaganda komuniste, ndaj dhe damin e vuajmë edhe sot mbas ma shumë se 30 vjetësh, saqë shumë prej nesh kanë fillu me dyshu edhe për parajsën “Europë”, emrin e së cilës e thirrëm aq shumë kur na doli opiumi i parajsës kallpe socialiste, kur u vetëdijesuam se kishim qenë peng të nji kampi masiv përqendrimi me mbishkrimin Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë. E aty për aty, sapo dolëm prej këtij ferri, besuam se gjetëm parajsën. Nga njëra anë me të drejtë, duke marrë parasysh se çfarë tmerri kishim kalu. Kështu, ngaqë ishim nën efektin e traumës dhe jetërsimit, lirinë e kishim kaos dhe kaosin liri. E si mund të ndodhte ndryshe kur kujton se çfarë dhune mendore, shpirtërore e fizike të pashoqe vuajtëm! Madje, çudi e madhe që jemi këtu ku jemi, që kemi arritë kaq sa kemi arritë.

Të vjetrit thonë se Zoti t’çon aq sa mban. Ne shqiptarët mbajtkemi shumë! Por, problemi është se ky karakter i fortë, kjo fuqi e durimit, shkon deri në nënshtrim.

Propaganda është opiumi ma i fortë na qarkullim… Me gjuhën e teknologjisë, parajsën na e njeh “softi”, ndaj dhe priremi natyrshëm drejt premtimeve të bukura, edhe kur ato janë andrra n’beze, edhe kur arsyeja na thotë se ato janë dokrra! E prapëseprapë diçka na tërheq, diçka na kujtohet.
Meqë ra fjala te andrrat n’beze, ashtu si në kinema, duhet me u kujtu me e kthy kryet mbrapa, se andej është e vërteta, jo përpara te ekrani, 3D a ma shumë qoftë.

Këtë thirrje për me kthy kryet mbrapa e ka ba edhe Platoni këtu e dymijë e pesëqind vjet ma parë përmes Alegorisë së Shpellës te Republika.

Po këtë na kujton edhe filmi “Matrix”!

Rranjët tonë janë thellë në të shkuarën, në ag të kohës, te prologu në Qiell.

Kush i harron këto rranjë dhe dheun ku ato ushqehen, mjafton nji erë e fortë për me e degdisë shumë larg vetes, dhe erëra të tilla ka shumë.

“Emancipimi nga robëria e tokës nuk është liri për pemën.” (Tagora) /revistashenja