Me emrin e Allahut, lavdërimi i përket Allahut dhe paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin (a.s), mbi familjen dhe shokët e tij – një paqe dhe përshëndetje e shumtë.
Allahu i Lartësuar thotë: “Kërkoni falje nga Zoti juaj, pastaj pendohuni tek Ai.”[1]
Aun ibn Abdullah ka thënë: “Mëkatet e atyre që pendohen qëndrojnë para syve të tyre me nënshtrim dhe ndjesë. Nuk gjen qetësi syri i të penduarit në këtë botë, sa herë që kujton çfarë i ka bërë vetes.”
Mëkatet janë plagë, dhe pendimi është ilaçi i tyre.
Allahu i Lartësuar thotë: “A mos vallë ata që kanë bërë mëkate mendojnë se Ne do t’i trajtojmë njësoj si ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, në jetë dhe në vdekje? Sa keq që gjykojnë!”[2]
Këtë ajet e ka lexuar sahabiu i nderuar, Temim ed-Dari (r.a.), në namazin e natës, dhe ka vazhduar ta përsërisë e të qajë deri në mëngjes, pranë Mekamit të Ibrahimit.
Sot, do ta rinovojmë pendimin tonë tek Zoti ynë, për disa mëkate që i njohim mirë nga vetja jonë:
Pendohemi për humbjen e kohës, kjo është shenjë e largimit nga mëshira.
Pendohemi për mungesën e turpit ndaj Zotit tonë.
Pendohemi se sa pak frikë kemi ndaj Zotit dhe për mungesën e madhërimit të Tij.
Pendohemi për shmangien e zemrës sonë nga Zoti ynë i dashur.
Pendohemi për mohimin e mirësive të Zotit që na dhuron bujari e mirësi.
Pendohemi për mëkatet në vetmi, nga frika se mund të takohemi me Të në atë gjendje, dhe veprat tona të shkojnë dëm.
Pendohemi për mëkatet e gjuhës sonë; për gënjeshtrën, përgojimin, thashethemet, shpifjet e dëshmitë e rreme.
Pendohemi për mëkatet e syve tanë që nuk janë shmangur nga ajo që e ka ndaluar Zoti.
Pendohemi për zemrën që është preokupuar me dynjanë.
Pendohemi për mosrespektimin e prindërve apo padrejtësitë që kemi bërë ndaj të tjerëve.
Shkruaj një listë me dhjetë mëkate nga të cilat dëshiron të çlirohesh!
Angazhoje gjuhën me shumë istigfar (kërkim faljeje)!
Angazhoje zemrën me përulje dhe ndjenjë turpi para Allahut!
Angazhoji gjymtyrët me lutje dhe përkushtim!
Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, që të shpëtoni.”[3]
Eja, le ta bëjmë këtë ditë një pendim të ri, me një kuptim më të thellë. E duam një pendim të vërtetë.
Pendohemi për neglizhencën tonë, për mangësitë tona, për mëkatet tona. Dhe le të përcaktojmë qartë: Nga çfarë do të pendohemi? Që të jetë një pendim me nxehtësi zemre, me ndjenjë të ndryshme.
Sytë tanë nuk do të qetësohen derisa të dimë se Ti, o Zoti ynë, na ke pranuar dhe je i kënaqur me ne.
Ndaj bëjeni në vetmi. Paraprijeni me shumë istigfar, me një namaz të përulur natën, dhe me lutje në sexhde. Mblidheni zemrën për këtë qëllim. Dhe niseni besëlidhjen e re me Zotin e botëve.
Allahun e lusim të na ndihmojë për këtë pendim të sinqertë.
Autor: Hani Hilmi
Përktheu: Elton Harxhi
[1] – Sure Hud: 3.
[2] – Sure Xhathije: 21.
[3] – Sure Nur: 31.








