Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni tha të mërkurën se vendit të saj i duhet më shumë kohë për të vendosur nëse do t’i bashkohet Bordit të Paqes të presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Gazën, duke përmendur çështje kushtetuese, transmeton Anadolu.
Meloni i tha transmetuesit “Rai News” se një çështje “mospërputhshmërie kushtetuese” nuk i lejon ata të nënshkruajnë menjëherë gjatë ceremonisë së nënshkrimit.
Megjithatë, ajo përsëriti “hapjen” për t’u bashkuar me bordin. “Nuk është një zgjedhje e zgjuar për Italinë dhe për Evropën, të përjashtojmë veten nga një organ që është në çdo rast interesant”, tha ajo.
Meloni përmendi një “çështje përputhshmërie” midis statutit të bordit dhe Nenit 11 të Kushtetutës italiane, “sipas të cilit ne mund të heqim dorë nga pjesë të sovranitetit tonë vetëm në kushte barazie midis shteteve” organizatave ndërkombëtare që synojnë sigurimin e paqes dhe drejtësisë. Ajo argumentoi se ky nuk është rasti me bordin.
E pyetur nëse Bordi i Paqes mund të bëhet një “OKB private”, ajo tha se “asnjë organ nuk mund të zëvendësojë Kombet e Bashkuara”.
“Bordi i Paqes u krijua në kuadër të një rezolute të OKB-së. Ka aspekte të tjera që janë problematike për ne”, shtoi Meloni.
Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi formimin e Bordit të Paqes së bashku me miratimin e një Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës, një nga katër organet e caktuara për të menaxhuar fazën kalimtare në enklavë.
Krijimi i bordit përkoi me nisjen e fazës së dytë të një marrëveshjeje armëpushimi që ndaloi luftën e Izraelit në Gaza, e cila ka vrarë më shumë se 71 mijë palestinezë dhe ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë që nga tetori i vitit 2023.



