Mbyllja e profetësisë në Islam, përveç se është një fakt historik, bart me vete një kuptim themelor: ajo shënon njohjen e plotë të aftësisë së mendjes njerëzore për të qenë përgjegjëse pas shpalljes. Me këtë akt, Islami i dha rëndësi dhe kompetencë pasuesve të Profetit në mungesë të tij, sikur t’ju thoshte:
“Ju keni në duart tuaja parime dhe vlera të mjaftueshme deri në Ditën e Kiametit.”
Një botë ku mendja i qëndron besnike së vërtetës dhe kundërshton të pavërtetën, është një botë që nuk ka më nevojë për një Pejgamber tjetër.
Muhamedi a.s. në një nga ditët e fundit të jetës së tij, kur nuk mund të ju printe muslimaneve në namaz u gëzua shumë kur pa umetin e tij duke u lutur pa të, ata ishin rreshtuar pas Ebu Bekrit, ky ishte një moment qetësie për të, sepse u sigurua për kalimin e projektit pas tij. Ai i shihte besimtarët të falnin në të njëjtën mënyrë që ua kishte mësuar dhe u gëzua derisa u dorëzonte atyre menaxhimin e fesë dhe jetës. Këtu qëndron urtësia pse ai nuk la testament për trashëgimtar apo udhëheqës pas tij: në njëfarë forme, ai ua besoi këtë myslimanëve, duke i lejuar ata të zgjedhin udhëheqësin dhe të parin e tyre në bazë të parimit të Shurasë (sistemit të konsultës).
Ndërkohë që shpallja u mbyll, mendja nuk u mbyll. Asaj i mbeti për detyrë të bashkëveprojë me shpalljen për të gjetur zgjidhje për të gjitha problemet e reja që do të dalin në jetë.
Prandaj duhet ta kemi të qartë: feja nuk jep gjithmonë zgjidhje të gatshme. Ajo ofron mësime dhe parime të përgjithshme, ndërsa mendjes i takon të zhvillojë zgjidhjet dhe detajet e jetës duke i mbetur besnike mësimeve hyjnore.
Hoxhë Halil Avdulli









