Merkel: Na pret një punë shumë e vështirë për të arritur synimet e BE-së për klimën

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka deklaruar se arritja e objektivave të Bashkimit Evropian (BE) për zvogëlimin e emetimeve që shkaktojnë ngrohjen globale do të jetë “punë shumë e vështirë”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, e miratuar dhjetorin e kaluar, siguron një plan për uljen e emetimeve të gazit për 55 për qind gjatë kësaj dekade dhe për t’u bërë neutral ndaj karbonit në bllokun evropian deri në vitin 2050.

“Unë parashikoj se do të jetë punë shumë e vështirë për të miratuar këtë Marrëveshje të Gjelbër”, tha Merkel.

Merkel mbetet në detyrë derisa të formohet qeveria e re gjermane pas zgjedhjeve të muajit të kaluar.

“Unë nuk do të jem më atje, por do të shikoj nga afër sa larg shkon aftësia për të bërë kompromis”, tha Merkel para audiencës në Caceres të Spanjës, ku mori Çmimin Evropian “Carlos V” nga Mbreti Felipe VI.

Ajo bëri thirrje për ndryshime në mënyrën se si trajtohen çështjet e klimës.

Duke iu referuar përmbytjeve vdekjeprurëse në Gjermani korrikun e kaluar, Merkel tha se “njerëzit flasin shumë shpesh për kostot e mbrojtjes së klimës dhe shumë pak për koston e dështimit për të mbrojtur klimën”.

Ajo gjithashtu u bëri thirrje njerëzve të përqendrohen në “mundësitë e reja të tregut, teknologjitë e reja dhe mundësitë e reja të punësimit” që rrjedhin nga transformimi i energjisë.

Çmimi ”Carlos V” u ndahet personave, organizatave ose projekteve që ndihmojnë në rritjen e “vlerave kulturore dhe historike të Evropës”.

Fituesit e mëparshëm përfshijnë politikanen feministe evropiane, Simone Veil, ish-kancelarin gjerman, Helmut Kohl dhe ish-udhëheqësin sovjetik, Mikhail Gorbachev. /aa