Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar se strategjia e re e sigurisë e administratës amerikane pritet të ndryshojë marrëdhëniet transatlantike, ndërsa shprehu shpresën që Washingtoni të mbetet partner, raporton Anadolu.
“Po përgatitemi për një ndryshim në marrëdhëniet transatlantike”, tha Merz në një konferencë për media në Berlin.
“Por unë do të doja që Amerika të mbetet partnere dhe shpresoj që SHBA-ja ta shohë Evropën dhe Gjermaninë në të njëjtën mënyrë”, shtoi ai.
Lideri konservator shprehu keqardhje për kritikat dhe akuzat e administratës amerikane ndaj qeverive evropiane në dokumentin strategjik, por shtoi se ato nuk ishin “surprizë e madhe”, pasi pasqyronin edhe mesazhin që nënpresidenti amerikan JD Vance u dha evropianëve në Konferencën e Sigurisë në Mynih më herët këtë vit.
I pyetur për kritikat e ashpra të presidentit amerikan Donald Trump ndaj politikave pro imigracionit të qeverive evropiane, Merz tha se ai dhe Trump e kanë diskutuar këtë çështje disa herë që nga takimi i tyre i parë në qershor.
“I thashë presidentit amerikan se ne në Gjermani po ndjekim një politikë të re në lidhje me emigracionin dhe ligjin e azilit. Do t’ia përsëris edhe herën tjetër kur të takohemi, se kemi arritur rezultate të mëdha”, tha Merz.
“Ne kemi arritur ta përgjysmojmë numrin e azilkërkuesve në Gjermani, dhe besoj se ai do ta vlerësojë faktin që kemi bërë një korrigjim kursi në këtë fushë, e cila realisht ka qenë një barrë e rëndë për Gjermaninë”, deklaroi kancelari Merz.
Strategjia e re amerikane e sigurisë kombëtare, e publikuar javën e kaluar, përshkruan prioritetet e administratës Trump në politikën e jashtme dhe atë të sigurisë. Dokumenti fokusohet te rajoni i Indo-Paqësorit dhe kundërshton karakterizimin e Rusisë si “kërcënim ekzistencial” nga qeveritë evropiane.
Në dokumentin prej 33 faqesh bëhen edhe vlerësime të debatueshme për Evropën, duke paralajmëruar për rënie ekonomike dhe “rrezikun real dhe gjithnjë e më të theksuar të zhdukjes së civilizimit” brenda 20 viteve të ardhshme. Po ashtu, kritikohet qëndrimi i qeverive evropiane ndaj lëvizjeve euroskeptike, të djathta ekstreme dhe kundër imigracionit.
Në një largim të fortë nga dokumentet e mëparshme strategjike, aty thuhet: “Çështjet më të mëdha me të cilat përballet Evropa lidhen me aktivitetet e Bashkimit Evropian dhe organeve të tjera transnacionale që minojnë lirinë politike dhe sovranitetin, politikat e migracionit që po e transformojnë kontinentin dhe po krijojnë përçarje, censurën e fjalës së lirë dhe shtypjen e opozitës politike, rënien e lindshmërisë dhe humbjen e identiteteve kombëtare dhe të vetëbesimit”.




