Messi vazhdon kontratën me Barcelonën deri në vitin 2021

Një nga futbollistët më të mirë të kohës së sotme, argjentinasi Lionel Messi (30) ka nënshkruar kontratë të re me Barcelonën që do të zgjasë deri në vitin 2021, ka konfirmuar sot klubi katalonjas, raporton Anadolu Agency (AA).

Klauzola e blerjes për Messin në kontratën e re arrin shumën “marramendëse” prej 700 milionë euro. Nëse do të qëndrojë deri në fund të kontratës së re, Messi në klubin nga “Camp Nou” do t’i bëjë 17 vite.

Argjentinasi arriti në Barcelonë si 13-vjeçar nga Newell Old Boys në vitin 2000. Pasi luajti futboll impresionues në kategoritë më të reja, për ekipin e parë debutoi në moshën 16 vjeçare në një ndeshje miqësore kundër Portos. Debutimin në ndeshjen e La Ligës e regjistroi një vit më vonë kundër rivalit të qytetit Espanyol.

Për Barcelonën ai ka luajtur 608 ndeshje zyrtare dhe ka shënuar 523 gola. Me “Barçën” fitoi tetë tituj kampioni të Spanjës, gjashtë Super Kupa kombëtare dhe pesë kupa.

Në skenën ndërkombëtare ka fituar katër trofe të Ligës së Kampionëve, dhe nga tre Super Kupa Evropiane dhe Kupën e Klubeve Botërore. Ajo që i mungon në karrierën e tij është trofeu i madh me Argjentinën për të cilën ka luajtur 123 ndeshje dhe ka shënuar 71 gola.

Individualisht ka fituar çmime të shumta, ndërsa i janë ndarë pesë “Topa të Artë”, si lojtari më i mirë i botës dhe katër herë fitues i çmimit “Këpuca e Artë”, si golashënuesi më i mirë në ligat kombëtare evropiane.