Dash Sula, krah atij që e quante gjeldeti: Si u zgjodha Kryeinspektor…
I quajtur shpotitshëm deri dje nga Rama si “gjelideti i Peqinit, ish-deputeti demokrat Dashnor Sula, tashmë Kryeinspektori i Përgjithshëm shprehu mirënjohje ndaj kryeministrit për vlerësimin që ai i bëri.
“Kam pranuar këtë sfidë sepse ju vlerësoj maksimalisht për vizionin. Ndoshta është e pamundur që një demokrat për 20 vite në politikë në një llogore tjetër, që ju e thatë me të drejtë, kritikuar, gjuajtur me gurë, por diferenca qëndron në një moment thelbësor dhe nuk kam turp ta them: aty ku unë kam kontribuar, kam dhënë për 20 vite, dhe garën e fundit të hedhin në rrugë. Unë mora kurajon, konkurrova, dola i pari dhe u vlerësova. Kjo është diferenca”, tha Sula.
Ai më pas renditi para Ramës tre parimet e tij, siç tha, të panegociueshme.
“Kryeministër, unë ju garantoj sot këtu dhe ditën e parë të këtij prezantimi, që unë tre gjëra i kam të panegociueshme. Në radhë të parë, do të kenë të gjithë përkushtimin tim. E dyta, ju garantoj për integritetin tim dhe të gjithë trupës që nuk pretendoj që gjithçka do të jetë mrekulli, por do të ketë një përmirësim të dukshëm.
Drejtësi do të ketë kryeministër dhe do të krijojmë një frymë pozitive dhe sfida që na ka vënë përballë është digjitalizimi i sistemit dhe ndërtimi i një sistemi dhe jo në kuturu.
Ashtu siç unë me të gjitha kërkesat e ligjit që u rekrutova në bazë të një konkurrimi, nga i pari tek i fundit, do të fillojmë dhe një moment të afërm të verifikojmë çdo inspektor që të jetë në pozicionin e duhur dhe kualifikimin e duhur.
Ajo sfidë që më keni hedhur, do ta përmbushim së bashku me të gjithë, të jap fjalën e burrit”, theksoi ish-deputeti demokrat i Peqinit, deri dje një nga zërat më kritikë ndaj qeverisjes në jetën parlamentare. /tesheshi




