Kur’ani Fisnik është libër që Allahu i Madhëruar e zbriti përmes melekut Xhibril tek Muhamedi alejhi selam dhe si i tillë ai është udhërrëfyes dhe program për jetën njerëzore.
Ai nuk erdhi vetëm për t’u lexuar, por për t’u kuptuar e jetësuar.
Metodologjia e Kur’anit synon ndërtimin e njeriut në të gjitha aspektet në përgjithësi por në tre aspekte në veçanti:
• Njeri me mendje të ndriçuar,
• Njeri me zemër të zgjuar, dhe
• Njeri me sjellje të përgjegjshme.
1. Njeri me mendje të ndriçuar
Një nga shtyllat kryesore të metodologjisë së Kur’anit Fisnik është ndërtimi i vetëdijes (el- Va‘j) dhe kultivimi i diturisë (el – ilm).
Kur’ani nuk synon një besim të verbër, por një besim të vetëdijshëm, të bazuar në kuptim dhe reflektim.
Që në ajetin e parë të shpallur, Allahu i Lartësuar e lidhi misionin hyjnor me leximin dhe diturinë:
“Lexo në emër të Zotit tënd i Cili krijoi”(El-Alek, 1).
Kjo tregon se ndërtimi i njeriut fillon me dituri që ndriçon mendjen dhe vetëdije që e udhëzon zemrën.
Kur’ani e nxitë njeriun të mendojë, të reflektojë dhe të analizojë realitetin:
“A nuk mendojnë ata?”
“A nuk meditojnë mbi Kur’anin?”
Këto thirrje e zgjojnë njeriun nga gafleti – pakijdesia dhe e shëndërrojnë në qenie të përgjegjshme.
Vetëdija që Kurani Fisnik e synon tek njeriu e bënë atë të kuptojë:
• qëllimin e ekzistencës së tij,
• përgjegjësinë për veprat,
• dhe pasojat në këtë botë dhe në botën e përhershme.
Kështu pasi dituria, sipas Kur’anit, nuk është thjesht informacion, por dritë që udhëzon drejt veprës së drejtë:
“A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Ez-Zumer, 9).
2. Njeri me zemër të zgjuar
Kur’ani nuk mjaftohet vetëm me ndriçimin e mendjes; ai synon edhe zgjuarjen, ndërgjegjësimin dhe ndërtimin e zemrës.
Zemra është qendra e besimit, ndjenjës dhe sinqeritetit.
Allahu i Lartësuar thotë:
“Në të vërtetë, sytë nuk verbërohen, por verbërohen zemrat që janë në gjoksa” (El-Haxh, 46).
Pa pastrim të zemrës, nuk ka ndërtim të shëndoshë të individit.
Zemra e zgjuar është ajo që:
• ndjen nënshtrim të plotë ndaj Allahut të Madhëruar,
• reagon ndaj këshillës dhe përkujtimit,
• dhe largohet nga pakujdesia dhe ngurtësia shpirtërore.
Kur’ani e e drejton zemrën që të largohet nga mendjemadhësia, urrejtja dhe hipokrizia, duke e mbushur me frikërespekt, dashuri dhe shpresë.
Vetëm një zemër e gjallë mund ta udhëheqë njeriun drejt së mirës.
3. Njeri me sjellje të përgjegjshme
Ndërtimi që Kurani synon tek njeriu, nuk mbetet vetëm në teori. Ai ndërtim reflektohet domosdoshmërisht në sjellje dhe veprim.
Kur’ani e lidhë vazhdimisht besimin me vepër:
“Ata që besuan dhe bënë vepra të mira”.
Sjellja e përgjegjshme përfshin:
• drejtësinë në raport me të tjerët,
• ndershmërinë në fjalë dhe punë,
• mëshirën ndaj njerëzve,
• dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë.
Besimi i vërtetë prodhon moral të lartë dhe angazhim pozitiv.
Njeriu i ndërtuar nga Kur’ani është aktiv, i dobishëm dhe shembull i mirë në shoqëri.
Andaj si përfundim mund të themi se Kur’ani Fisnik e ndërton njeriun në mënyrë të balancuar:
me mendje që mendon, zemër që ndjen dhe sjellje që vepron drejt.
Vetëm kur këto tre rrafshe bashkohen, njeriu arrinë plotësinë e tij dhe shoqëria gjenë stabilitet, drejtësi dhe paqe.
Sadik Avdiu








