Mianmar, ish-lideri i milicisë zgjidhet kryetar parlamenti

Parlamenti i Mianmarit për kryetar të tij ka zgjedhur ish-udhëheqësin e milicisë, Tin Khun Myat, i cili u akuzua nga disa media vendase si lider i drogës në shtetin Sahn.

Kjo zgjedhje erdh pasi partia qeverisëse përgatitej për një riorganizim të madh të kabinetit, pas dorëheqjes së presidentit Htin Kyaw, ndihmësit të vjetër dhe besnik të këshilltares shtetërore Aung San Suu Kye, i cili dje dha dorëheqje për shkak të, siç tha ai, nevojës për të pushuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Ish-kreu i Dhomës së Ulët, Win Myint, është planifikuar që të bëhet presidenti i ardhshëm i vendit, i cili dha dorëheqje nga posti i tij parlamentar menjëherë pas dorëheqjes së Kyaw-it. Ditën e nesërme, parlamenti do të bëjë nominimin presidencial.

Myat po shërbente në parlament si një zëvendëskryetar para se ditën e sotme të ngrihej në postin e kryetarit.

Sipas mediave lokale, Myat ishte shefi i milicisë Kutkai, që u bashkua me ushtrinë e Mianmarit kundër kryengritësve komunistë dhe grupeve të armatosura etnike në shtetin verilindor Shan, rajon që ndodhet në kufi me Kinën.

Ai u zgjodh si ligjvënës i Dhomës së Ulët të Parlamentit pas zgjedhjeve të përgjithshme në vitin 2010 dhe në vitin 2015 ndërsa si zëvendëskryetar i Dhomës së Ulët u zgjodh në vitin 2016.

Thuhet se ai u shkarkua nga Partia USDP pro-ushtarake në fund të vitit 2017, së bashku me Thura Shwe Mann, ish-gjeneral i cili tani është një mbështetës i ngushtë i këshilltares shtetërore Suu Kye.

– Dyshimet për tregtinë e drogës

Në një artikull të titulluar “Zotërinjtë e drogës në Parlament” të publikuar në vitin 2011, agjencia e lajmeve Shan Herald pretendonte se milicia Kutkai e përbërë prej 600 personash e udhëhequr nga Ti Khun Myat ishte përgjegjës për transportimin e drogës përmes qytezës Kutkai.

Raporti shtoi se përderisa drejtoi milicinë, ai poashtu mori pjesë në komisionin e themeluar për hartimin e kushtetutës së vitit 2008 si dhe në komisionin që organizoi referendumin kombëtar për ta miratuar atë.

Megjithatë, kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit gjithmonë ka mohuar akuzat kundër drogës, edhe pse ai pranon të ketë qenë ish-udhëheqës i milicisë Kutkai. Për më tepër, ai kurrë nuk u akuzua për krimet e supozuara dhe nuk u përball me asnjë veprim nga gjykatat e vendit.

Sai Le, një analist i pavarur në Taung Gyi, kryeqytetin e shtetit Shan, tha për AA se askush në vend nuk mund të mohonte se milicia ishte e përfshirë në biznesin e drogës.

Ai akuzoi Myat-in se ishte i përfshirë në tregtinë e paligjshme derisa ai “e dorëzoi atë tek një prej anëtarëve të tij të familjes në vitin 2011 kur edhe u zgjodh ligjvënës”.

“Ai vazhdimisht mohoi raportet e përfshirjes së tij në trafikun e drogës. Por, pa përfshirjen e tij, si mund të bëhet zona Kutkai shpërndarës i tregtisë së drogës në shtetin Shan”, tha San Le.

“Si mund të pohojë se ai është i pastër? Ai është i lidhur poashtu me May Flower Bank”, tha ai, duke iu referuar bankës lokale në Mianmar, e cila u mbyll në vitin 2005 pasi u akuzua për pastrim parash nga tregtia e drogës.

“Deri më sot, milicia e tij nën kontrollin e vëllait të tij ende përfshihet në bizneset e pista në zonë”, pohoi Sai Le, i cili ka punuar me organizata të bazuara në komunitetet dhe fushatat e tyre kundër drogës për më shumë se një dekadë.