Mianmari privon muslimanët Rohingya nga identiteti i tyre

Që nga pavarësia në vitin 1948, Mianmari është përballur me një krizë identiteti, veçanërisht lidhur me minoritetet në këtë vend të tillë si komuniteti musliman Rohingya në shtetin Rakhinë. Muslimanët Rohingya kanë vuajtur spastrimin etnik nga forcat shtetërore të Mianmarit, raporton Anadolu Agency (AA).

Nga 135 komuniteti etnike të Mianmarit, shumica janë ato birmanez (Burma) që përbëjnë mbi 60 për qind, ndërsa muslimanët Rohingya përbëjnë vetëm 4 për qind të popullsisë së Mianmarit.

Të dhënat historike tregojnë se populli Rohingya është indigjen në Mianmar, duke shkuar larg deri në shekullin e shtatë. Ata gjithashtu thuhet se gjatë shekullit të 15-të e kanë udhëhequr vendin si Mbretëria Arakane në mënyrë të pavarur.

Mianmari, i njohur më parë si Birmania (Burma), u kolonizua nga Britania në vitin 1885. Pasi ushtria mori pushtetin në vitin 1962, plagët e thella të mbetura nga ish-udhëzuesit kolonial nxitën mosmarrëveshje të ndryshme në vend.

Vërshimi i tanishëm i dhunës në Mianmar kryesisht synon muslimanët Rohingya. Nisi në muajin gusht të vitit të kaluar nën pretekstin e stacioneve policore të Mianmarit që po sulmoheshin.

Që kur vendi fitoi pavarësinë, muslimanët Rohingya kanë protestuar dhe kanë kërkuar të drejta të barabarta si qytetarë të Mianmarit. Disa gjithashtu u detyruan të marrin armët kundër qeverisë.

– Gjenocidi sistematik

Fillimi i gjenocidit sistematik ndaj popullit Rohingya daton që nga vitet 1962-1974, kur qeveria ushtarake e Ne Win-it arrestoi krerët e grupit të këtij minoriteti. Shumë muslimanë Rohingya ikën nga vendi i tyre dhe disa u zhdukën në rrugën e tyre drejt Pakistanit dhe Indisë.

Gjenocidi sistematik i kryer në vitin 1977 nën operacionin Nagamin (Mbreti i Dragoit) çoi në eksodin e parë të mbi 200 mijë muslimanëve Rohingya në Bangladesh një vit më vonë.

Sipas organizatës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Right Watch (HRW), gjatë eksodit të dytë të viteve 1991-1992, rreth 250 mijë Rohingya kaluan në Bangladesh, pasi u përballën me dhunë, përdhunim dhe përndjekje fetare nga ushtria kombëtare.

Qeveria e Mianmarit më pas u përpoq të privonte popullin Rohingya nga shtetësia e tyre duke pretenduar se kishin emigruar ilegalisht nga Bangladeshi dhe nuk meritonin të përfshiheshin përkrah 135 grupeve etnike indigjene në përputhje me ligjin e vitit 1982.

Në vitin 2006, trazirat anti-muslimane dhe një raport i rremë i një burri musliman që përdhunonte një grua budiste lejoi qeverinë e Mianmarit t’u mohonte muslimanëve Rohingya edhe të drejtën për t’u martuar.

Pas vitit 2011, qeveria nominale civile Thein Sein u betua, por asgjë nuk ndryshoi për muslimanët Rohingya. Kjo mungesë progresi erdhi përkundër një optimizmi që ndoshta gjërat do të përmirësoheshin pasi në vitin 2015 fituesja e çmimit Nobel për Paqe, Aung San Suu Kyi, u bë udhëheqëse “de facto” e vendit.

Por, Suu Kyi mbeti e heshtur përballë persekutimit të muslimanëve Rohingya. Një vit më vonë pati një përplasje vdekjeprurëse midis budistëve dhe muslimanëve në shtetin Rakhinë, e cila shpërtheu pas përdhunimit dhe vrasjes së një gruaje 27-vjeçare budiste dhe vrasjes së 10 pelegrinëve.

– Bota dështon me popullin Rohingya

Në një raport, agjencia e refugjatëve UNHCR tha se pothuajse 170 mijë persona me gjasë u larguan nga Mianmari vetëm në vitin 2012.

Sipas Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar Ontario (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, më shumë se 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

“Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr, ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën”, thuhet në raportin e OIDA-s, duke shtuar se 17.718 gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit. Po ashtu theksohet se mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman.

Populli Rohingya, i përshkruar nga OKB si më i përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetëra u vranë në dhunën komunale në vitin 2012.

OKB ka dokumentuar përdhunimet në masë, vrasjet, duke përfshirë edhe foshnjat dhe fëmijët e vegjël, rrahjet brutale dhe zhdukjet e kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit. Në një raport, hetuesit e OKB-së thanë se shkeljet e tilla mund të kenë përbërë krim kundër njerëzimit.