Mickoski në Bruksel: Ballkani Perëndimor gjeografikisht i përket Evropës

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Bruksel, ka deklaruar se është logjike që Ballkani Perëndimor së bashku të integrohet në Bashkimin Evropian (BE), pasi ky rajon gjeografikisht i përket Evropës, transmeton Anadolu.

“Është mirë kur Ballkani Perëndimor është në fokusin e BE-së. Kjo është inkurajuese për qytetarët e Ballkanit Perëndimor, sepse në këtë mënyrë tregohet interesi për të ardhmen tonë të përbashkët, pasi Ballkani Perëndimor gjeografikisht i përket Evropës dhe është logjike që së bashku të integrohemi në kuadër të Bashkimit Evropian”, tha Micskoski.

Mickoski theksoi se, si qeveri e Maqedonisë së Veriut, ata angazhohen të përmbushin gjithçka që është e nevojshme për këtë proces, sepse, siç tha ai, “qytetarët maqedonas e meritojnë këtë”.

“Si shtet, këtë e kemi merituar prej shumë kohësh, sepse rruga jonë ka nisur para 25 vitesh, por për arsye artificiale ende nuk mund të jemi pjesë e familjes evropiane”, shtoi ai.

Ai shprehu pritshmërinë se çështjet bilaterale me fqinjët nuk do të jenë pengesë, por përkundrazi mbështetje nga fqinjët në ambicien e Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e BE-së.

Udhëheqësit e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor sot takohen në Bruksel.

Takimi, i kryesuar nga presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa, do të shërbejë si një mundësi për të demonstruar dhe rikonfirmuar forcën e marrëdhënies strategjike BE-Ballkani Perëndimor dhe përfitimet që ajo u sjell qytetarëve.

Costa do të përfaqësojë BE-në në samit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Përfaqësuesja e lartë Kaja Kallas gjithashtu do të marrë pjesë.

Në fund të samitit, do të lëshohet deklarata e samitit BE-Ballkani Perëndimor.