Microsoft prezantoi Windows Copilot, një asistent AI për Windows 11

Duke qenë se Copilot është integruar në Windows, mund të bëjë edhe gjëra siç është ndryshimi i konfigurimeve dhe kryerjen e veprimeve të ndryshme në kompjuter.

Microsoft prezantoi asistentin me inteligjencë artificiale Copilot AI për Windows 11. Njëlloj si Copilot për panelet anësore të Edge, Office e madje GitHub, Windows Copilot do të jetë i integruar direkt në Windows 11 dhe i disponueshëm për tu hapur nga taskbari në të gjitha aplikacionet dhe programet e sistemit operativ.

“Sapo hapet, paneli anësor i Windows Copilot qëndron konsistent në të gjitha aplikacionet, programet dhe dritaret, gjithnjë i disponueshëm për të shërbyer si asistenti juaj personal,” shpjegoi shefi i Windows dhe pajisjeve pranë Microsoft, Panos Panay.

Me Windows Copilot përdoruesit mund të krijojnë një përmbledhje teksti në aplikacionet që po shohin, ta rishkruajnë e madje ta shpjegojë. Është shumë i ngjashëm me kutinë dialoguese gjetur në Bing Chat dhe mund të bëni pyetje të përgjithshme apo gjëra që zakonisht kërkoni në një motor kërkimi.

Nuk do të zëvendësojë fushën e kërkimit në taskbarin e Windows

Sipas Microsoft Windows Copilot është një asistent personal që ngjan shumë me mënyrën sesi Microsoft përshkruante Cortana dikur.

Duke qenë se Copilot është integruar në Windows, mund të bëjë edhe gjëra siç është ndryshimi i konfigurimeve dhe kryerjen e veprimeve të ndryshme në kompjuter.

Ndërtuar mbi të njëjtat themele që është ngritur Bing Chat, Windows Copilot mund të zgjerohet në funksionalitet përmes shtojcave shkruar për Bing ose ChatGPT.

Kompania do të fillojë testimin Windows Copilot në Qershor përpara se ta bëjë të disponueshëm për më shumë përdorues të Windows 11-ës në muajt në vijim.