Mijëra shqiptarë pushime në Turqi, këtë verë 11% më shumë se në vitin 2018

Turqia vijon të kryesojë si destinacioni turistik më i zgjedhur nga shqiptarët.

7 020 shqiptarë më shumë kanë shkuar për të pushuar në territorin turk brenda 7 muajve, janar-korrik, krahasuar me 2018-n. Për këtë vit, deri në korrik kanë shkuar për të pushuar 71 114 shqiptarë, 11% më shumë se në vitin e shkuar.

“Antalia dhe vendet përreth Turqisë si Kemer, Belek, Stamboll ka qenë gjithmonë kërkesa kryesore e shqiptarëve për pushime verore”, deklaron Fjorida Zani, anëtare e Unionit Turistik Shqiptar.

“Kemi qenë në Stamboll, është shumë mirë, sepse lirë dhe me shumë diversitet”, tregon dikush.

“Turqia është goxha interesante, me resortet që i kanë të gjitha ; është mirë”, shprehet një tjetër.

Paketat turistike që ofrojnë resortet turke me çmime ekonomike po tërheqin çdo vit e më shumë shqiptarët larg vendit të tyre.

“Klientët shqiptarë preferojnë që të kenë paketën e kompletuar, duke përfshirë fluturimin, akomodimin; shërbimin all inclusive që ofron të treja vaktet dhe pijet dhe në momentin që rezervojnë nuk kanë kosto ekstra. Pushimet në Turqi janë edhe më të përshtatshme për familjarët pasi ka plot aktivitete për fëmijët e në këtë mënyrë  vetë prindërit çlodhen plotësisht”, sqaron Zani.

Më tej shton:

“Në Turqi fëmija i parë dhe në disa hotele dhe fëmija i dytë akomodohen falas. Akomodimi dhe shërbimi all inclusive, plus ofrojnë lehtësira të tjera për prindërit si aktivitete të ndryshme për fëmijë. Madje lënë dhe një babysitter ose animatorë për 2-3 orë për fëmijët dhe kjo i krijon një pushim total prindërve”, thotë anëtarja e Unionit Turistik Shqiptar.