Milani mposht Romën në “San Siro”, i bëhet hije Interit

Milani ka arritur të shënojë fitore ndaj Romës në “San Siro” me rezultat 3-1, në kuadër të javës së 20-të të Serie A.

Ndeshja doli të jetë emocionuese sidomos në pjesën e parë ku kishte shumë raste, por edhe gola.

Theo Hernandez dhe Tammy Abraham kishin nga një rast me të filluar ndeshja.

Në minutën e 6-të Milani fitoi penallti. Nga pika e bardhë doli të jetë i saktë Olivier Giroud që shënoi për 1-0 në portën e Rui Patricios.

Milani shtoi epërsinë në minutën e 17-të, kur Junior Messias ishte në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për të shënuar për 2-0.

Roma u këndell duke rrezikuar me Nico Zaniolon, por italiani nuk ishte i saktë.

Në minutën e 40-të Roma u kthye në lojë, kur Lorenzo Pellegrini gjeti Abrahamin i cili shënoi për 2-1.

Pjesa e dytë ishte me nivel më të ulët, duke munguar rastet sikurse që ishin në pjesën e parë.

Roma mbeti me dhjetë veta në minutën e 74-të, kur Rick Karsdorp u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë.

Milani hipotekoi fitoren në minutën e 82-të, kur një asistim i Zlatan Ibrahimovic për Rafael Leaon u kthyen në gol nga portugezi.

Krejt në fund Milani humbi edhe një penallti me Zlatan Ibrahimovicin.

Kuqezinjtë me këtë fitore mbesin në vendin e dytë më 45 pikë, një më pak se Interi që është lider.