Milani mposhtet nga Fiorentina në një triller golash

Skuadra e Milanit ka pësuar humbje 4-3 ndaj skuadrës së Fiorentinës si mysafir.

Vendasit kaluan në avantazh në minutën e 15-të me anë të Alfred Duncan i cili e shfrytëzoi një gabim të portierit Tatarusanu duke e hapur sfidën.

Derisa “kuqezinjtë” po e kërkonin golin e barazimit por pa sukses, vendasit tronditën “rosonerët” duke dyfishuar epërsinë në minutat shtesë dhe duke shkuar në pushim me një epërsi solide.

Në pjesën e dytë, Dusan Vlahovic realizoi golin e tretë në minutën e 60-të për epërsinë 3-0 ndaj Milanit, gjersa Ibrahimovic me dy gola brenda pesë minutave në 62′ dhe 67′ i dha shpresa ‘rosonerëve’ për një rikthim të madh.

Sidoqoftë, djelmoshat e Piolit u treguan të pafuqishëm për të bërë përmbysjen, kësisoj ata pësuan edhe një gol tjetër i cili mbyti shpresat për “kuqezinjtë”, ku Vlahovic realizoi edhe njëherë në minutën e 86-të për epërsinë 4-2.

“Kuqezinjtë” arritën të ngushtonin epërsinë në minutën e fundit të shtesës pas një autogolit të Lorenzo Venutit për rezultatin final 4-3 në të mirë të Fiorentinës.

Milani pëson disfatën e dytë në kampionat dhe mbetet në kuotën e 32 pikëve, gjersa Fiorentina tani mbledh 21 pikë duke u pozicionuar në pozitën e gjashtë.