Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian (BE) u mblodhën sot në Bruksel për të diskutuar mbi një paketë të re sanksionesh kundër Rusisë, luftën në Ukrainë dhe një sërë çështjesh të sigurisë ndërkombëtare, tha shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, transmeton Anadolu.
“Ne shpresojmë të marrim 250 listime të dakorduara dhe më pas po punojmë edhe për paketën e 21-të të sanksioneve ku nuk kemi ende marrëveshje”, tha kryediplomatja e BE-së, Kallas.
Ajo theksoi se listat e propozuara të sanksioneve janë “reagim ndaj sulmeve që Rusia ka patur ndaj civilëve kohët e fundit”. Kallas shtoi se ministrat do të diskutojnë për situatën e civilëve ukrainas të dyshuar të arrestuar në territoret e kontrolluara nga Rusia, përfshirë mësues dhe gazetarë, së bashku me të burgosurit e luftës dhe fëmijët e rrëmbyer.
“Ne po mendojmë të hapim një platformë ku mund të përmbushim ato kërkesa për t’i liruar ata njerëz”, tha Kallas duke shtuar se marrja e informacionit për civilët e ndaluar mbeti më e vështirë sesa në rastin e fëmijëve të rrëmbyer.
Kryediplomatja evropiane tha se ministrat do të diskutojnë për strategjinë e BE-së në Detin e Zi, përfshirë bashkëpunimin midis Bullgarisë dhe Rumanisë për të mbrojtur infrastrukturën kritike dhe adresimin e kërcënimeve hibride në rajon.
Ajo tha se Këshilli i Punëve të Jashtme pritet të miratojë një mision të ri partneriteti për Armeninë për të ndihmuar vendin kundër kërcënimeve hibride dhe manipulimit dhe ndërhyrjes së informacionit të huaj. Axhenda përfshin gjithashtu Lindjen e Mesme, ku ministrat pritet të zhvillojnë bisedime me partnerët e Gjirit për sigurinë rajonale dhe të diskutojnë zhvillimet në Ngushticën e Hormuzit.
“Ngushtica e Hormuzit duhet të hapet, liria e lundrimit duhet të respektohet. Nuk mund të ketë tarifa, nuk mund të ketë tarifa për lundrimin atje”, tha Kallas.
Ministrat e Jashtëm pritet të diskutojnë gjithashtu për Bosnjë e Hercegovinën, Ballkanin Perëndimor dhe konfliktin në Sudan. “Ne nuk duhet ta harrojmë këtë dhe gjithashtu të dërgojmë mesazhe të qarta për ata që ndërmjetësojnë por edhe ata që ndërhyjnë atje”, tha Kallas.



