Ministrat e Mbrojtjes së Turqisë dhe SHBA-së diskutojnë situatën në Ukrainë

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Hulusi Akar zhvilloi një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin ku diskutuan situatën në Ukrainë.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë përmes një postimi në Twitter tha se Akar dhe Austin diskutuan gjithashtu lidhjet dypalëshe dhe çështje të tjera rajonale të mbrojtjes dhe sigurisë.

Turqia dhe SHBA-ja kanë kritikuar vendimin e Moskës për të nisur një ndërhyrje ushtarake në Ukrainë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan tha më herët gjatë së enjtës se ndërhyrja ushtarake e Rusisë kundër fqinjit të saj perëndimor ishte “kundër ligjit ndërkombëtar dhe një goditje e rëndë për paqen, qetësinë dhe stabilitetin e rajonit”.

Ai u shpreh se Turqia kundërshton operacionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës duke e konsideruar atë “të papranueshëm” ndërsa përsëriti thirrjen për Moskën dhe Kievin që të zgjidhin çështjet e tyre përmes dialogut në përputhje me Marrëveshjet e Minskut. /atsh