Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut diskuton me komisaren e BE-së...

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut diskuton me komisaren e BE-së zgjidhjen e sfidave të transportuesve

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, ka zhvilluar sot bisedë telefonike me komisaren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, transmeton Anadolu.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme të Maqedonisë së Veriut, fokusi i bisedës ishte te sfidat aktuale ekonomike dhe procesi i integrimit evropian të vendit. Bashkëbiseduesit kanë shkëmbyer mendime për gjetjen e një zgjidhjeje konkrete dhe të qëndrueshme për problemet me të cilat përballen transportuesit profesionistë, si dhe për çështjen e tarifave për çelikun.

Në këtë kontekst, ministri Mucunski ka theksuar nevojën për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar, me qëllim shmangien e efekteve shtesë negative ndaj ekonomisë vendore.

Sa i përket rrugëtimit eurointegrues të Maqedonisë së Veriut, Mucunski ka riafirmuar përkushtimin e qartë dhe të fortë të Qeverisë ndaj procesit reformues, sigurimit të vazhdimësisë në zbatimin e tij, si dhe miratimit të ligjeve që janë pjesë përbërëse e agjendës evropiane.