Nuk ka si të mos ua kesh zili popujve që kanë përfaqësues me dinjitet dhe me bosht të fortë njerëzor, si për shembull spanjollët dhe kroatët, të cilët ia thonë haptazi Izraelit se nuk mund të mbështesin një regjim gjenocidal dhe vrasës të fëmijëve palestinezë.
Nuk mund të mos ndihesh i mjerë kur e dëgjon Ministrin e Jashtëm të mëmëdheut tënd teksa i jargavitet kolegut të vet izraelit, duke iu betuar për besnikëri të përjetshme dhe duke u mburrur me lidhjet e forta ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit, të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta, pa treguar nëse në këto vlera përfshihet edhe vrasja e fëmijëve palestinezë?!
Po ashtu, nuk mund të mos e pyesësh veten se si mund të jesh kaq interesaxhi, pa kurrfarë dinjiteti, sa të shprehësh dhembshuri për civilët e vrarë nga raketat iraniane, por jo edhe për fëmijët që çdo ditë vriten nga bombat izraelite.
Por, sidoqoftë, njeriut i mbetet ngushëllimi se fytyra e popullit shqiptar nuk janë këta burrështetas të pafytyrë, sepse ky popull kurrë nuk ka qenë në anën e vrasësve të pafajësisë fëmijërore, kushdo qofshin ata.
Populli shqiptar prej moti e ka kuptuar atë që nuk guxojnë ta thonë përfaqësuesit e tij pa dinjitet: kjo botë është një tren që drejtohet nga ata që duan të na bindin se bombat atomike të Izraelit janë më pak të rrezikshme se ato të Iranit.
Pra, ata duan të na detyrojnë të mos e shohim të vërtetën se lufta kundër Iranit nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit të ajatollahëve, por me copëtimin e këtij shteti, vetëm që Izraeli ta ketë më të lehtë ta sundojë botën arabe.
Nga: Kim Mehmeti








