Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri i Jashtëm iranian mbërrin në Oman për bisedime

Ministri i Jashtëm iranian mbërrin në Oman për bisedime

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti të hënën në kryeqytetin e Omanit, Muskat, për të zhvilluar bisedime, transmeton Anadolu.

Mediat shtetërore iraniane transmetuan pamje dhe publikuan fotografi që tregojnë mbërritjen e Araghchit në Muskat nga Islamabadi, ku mori pjesë në një sesion të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik.

Kryediplomati iranian pritet të takohet dhe të zhvillojë bisedime me homologun e tij nga Omani, Badr bin Hamad Al Busaidi.

Vizita zhvillohet në kohën kur po bëhen përpjekje diplomatike për të ringjallur mirëkuptimin mes Iranit dhe SHBA-së, të arritur përmes ndërmjetësimit të Pakistanit pas konfliktit ushtarak që nisi me sulmet amerikane dhe izraelite ndaj Iranit më 28 shkurt.

Memorandumi prej 14 pikash i Islamabadit, i arritur në qershor, përcaktoi një kornizë për uljen e tensioneve, duke përfshirë marrëveshje për sigurinë detare në Ngushticën e Hormuzit, lehtësimin e sanksioneve dhe ndërprerjen e armiqësive.

Megjithatë, mosmarrëveshjet lidhur me zbatimin e tij dhe rifillimi i përballjeve ushtarake kanë penguar arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme, duke bërë që lundrimi përmes kësaj rruge ujore strategjike të vazhdojë t’u nënshtrohet kufizimeve.