Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani ka konfirmuar se personelit ushtarak italian i është kërkuar të mbështesë rindërtimin e ardhshëm ose përpjekjet kalimtare në Gaza dhe Palestinë, transmeton Anadolu.
Tajani i bëri këto komente gjatë vizitës në forcat italiane të stacionuara në një bazë mbështetëse ushtarake në Xhibuti dhe në bordin e fregatës “Antonio Marceglia”, duke festuar Krishtlindjet me trupat, raportoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.
“Ashtu si të gjithë kolegët tuaj që shërbejnë në të gjithë botën, ju jeni bartës të paqes”, u tha Tajani ushtarëve.
“Trupat italiane janë të nevojshme kudo. Prania jonë është kërkuar për Gazën dhe Palestinën gjatë çdo rindërtimi ose faze kalimtare në të ardhmen. Kjo është e ngjashme me njohjen që forcat tona kanë marrë në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi”, shtoi ai.
Tajani potencoi shkathtësinë dhe aftësitë operacionale të forcave italiane, për t’u përshtatur me mjedise të ndryshme. Ai nënvizoi interesat strategjike ekonomike të Italisë në Detin e Kuq, përmes të cilit kalon 40 për qind e tregtisë detare të vendit. Trupat italiane aktualisht kontribuojnë në misionin Aspides të Bashkimit Evropian, i nisur në shkurt 2024 për të siguruar sigurinë detare në rajon.
Lidhur me stabilitetin rajonal, Tajani paralajmëroi për rreziqet që paraqesin trazirat në Sudan, të cilat mund të rezultojnë në flukse të parregullta migracioni drejt Italisë.




