Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri i Mbrojtjes: Italia planifikon tërheqjen e trupave nga baza në Erbil

Ministri i Mbrojtjes: Italia planifikon tërheqjen e trupave nga baza në Erbil

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka bërë të ditur se vendi i tij po organizon kthimin e trupave të dislokuara në bazën e saj ushtarake në Erbil, duke theksuar se tërheqja e kontingjentit të mbetur ishte planifikuar tashmë para se një raketë të godiste objektin, transmeton Anadolu.

“Një raketë goditi bazën tonë në Erbil. Nuk ka viktima apo të plagosur mes personelit italian. Të gjithë janë të sigurt”, tha Crosetto, i cituar nga agjencia e lajmeve ANSA.

Crosetto theksoi se Italia tashmë kishte filluar të reduktojë praninë e saj ushtarake në rajon për shkak të shqetësimeve për sigurinë.

Sipas ministrit, 102 pjesëtarë të personelit janë kthyer tashmë në Itali, ndërsa rreth 40 të tjerë janë zhvendosur në Jordani.

“Kthimi i 141 personave që janë aktualisht atje ishte planifikuar tashmë”, tha ai, duke shpjeguar se operacioni është logjistikisht kompleks sepse trupat nuk mund të transportohen drejtpërdrejtë me avion dhe me gjasë do të largohen me rrugë tokësore, ndoshta përmes Turqisë.

Ministri italian tha se autoritetet kishin parashikuar mundësinë e një sulmi dhe kishin zbatuar masa sigurie paraprakisht.

“Deri në orën 8:30 kishim zbatuar të gjitha kushtet e sigurisë, kështu që të gjithë kishin hyrë në zonat e mbrojtura dhe nuk pati dëme për kontingjentin”, tha ai.

Sipas ministrit Crosetto, baza në Erbil në veri të Irakut strehon disa objekte ushtarake dhe diplomatike të SHBA-së dhe është pjesë e pranisë së NATO-s në rajon.

Kur u pyet nëse sulmi ndaj bazës ushtarake italiane ishte i qëllimshëm, ai i tha televizionit publik RAI: “Absolutisht, ajo është një bazë e NATO-s dhe është gjithashtu amerikane”.

Sulmi ndodhi derisa SHBA-ja dhe Izraeli vazhdojnë sulmet ajrore ndaj Iranit që nisën më 28 shkurt, të cilat kanë vrarë më shumë se 1.300 persona dhe kanë plagosur mbi 10.000 të tjerë.

Teherani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që kanë shënjestruar Izraelin, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë baza ushtarake amerikane.