Ministri izraelit i Financave bën thirrje për “migrimin vullnetar të palestinezëve nga Gaza”

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, nga radhët e ekstremit të djathtë bëri thirrje për “inkurajimin e migrimit vullnetar të palestinezëve nga Gaza”, transmeton Anadolu.

Në një intervistë në kanalin izraelit “Channel 12”, Smotrich deklaroi se “Gaza nuk do të jetë shtëpia e 2 milionë personave që duan të shkatërrojnë shtetin e Izraelit”.

Duke bërë thirrjen se “palestinezët në Gaza duhet të inkurajohen për migrim vullnetar”, Smotrich tha se duhet të ketë shtete që të pranojnë të emigruarit dhe se kjo duhet të bëhet përmes shtetit të Izraelit.

Ai theksoi se është kundër që administrata palestineze të marrë kontrollin e Rripit të Gazës. “Do të drejtojnë njësoj ashtu si drejton Hamasi”, tha Smotrich.

Në një deklaratë të bërë muajin e kaluar, Smotrich kishte pretenduar se migrimi i palestinezëve nga Gaza në vende të tjera është “zgjidhja e drejtë humanitare”.

Në shtypin izraelit, kohët e fundit janë paraqitur lajme se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po punon për migrimin e palestinezëve nga Gaza në mënyrë vullnetare në vende të tjera.