Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri shqiptar i Mbrojtjes Vengu paralajmëron stërvitje të përbashkët ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Ministri shqiptar i Mbrojtjes Vengu paralajmëron stërvitje të përbashkët ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, paralajmëroi mbajtjen e stërvitjes së parë ushtarake trepalëshe midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë në vitin 2026, si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit të nënshkruar së fundmi midis tri vendeve, transmeton Anadolu.

Në një postim në rrjetet sociale, Vengu tha sot pas takimit trepalësh mbi bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes se është shënuar “një tjetër hap i rëndësishëm në kuadër të marrëveshjes trilaterale ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, ku shefat e shtabeve të tri vendeve zhvilluan një takim të përbashkët”.

“Më shumë bashkëpunim ushtarak, më shumë ndërveprueshmëri, më shumë gatishmëri operacionale”, ka shkruar Vengu.

Ai tha se fokusi i bashkëpunimit midis tri vendeve është në “zhvillimin e stërvitjeve dhe trajnimeve të përbashkëta për përballimin e sfidave të sigurisë dhe kërcënimeve hibride.

“Viti 2026 do të presë stërvitjen e parë trilaterale, në përputhje me Konceptin Strategjik të NATO-s dhe objektivat euroatlantike”, paralajmëroi shefi i mbrojtjes i Shqipërisë.

Sot, në Shkodër u mbajt takim trepalësh mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, me fokus bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Në mars të vitit të kaluar, Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një deklaratë të përbashkët të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, i cili synon forcimin e aftësive mbrojtëse të tre vendeve, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.