Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës ua ndalon punonjësve TikTok-un në pajisjet zyrtare

Ministria e Mbrojtjes e Danimarkës ua ndaloi punonjësve të saj të përdorin platformën e njohur të mediave sociale TikTok në pajisjet zyrtare, duke vlerësuar se ekzistonte rreziku i spiunazhit, transmeton Anadolu.

“Vendimi është marrë në vazhdim të rekomandimit nga Qendra për Sigurinë Kibernetike (CFCS) më 24 shkurt 2023”, thuhet në një deklaratë të ministrisë.

CFCS vlerësoi se aplikacioni duhet të fshihet, pasi ai “kërkon disa të drejta dhe qasje në pajisje”.

“Ka shqetësime të rëndësishme sigurie brenda Ministrisë së Mbrojtjes të kombinuara me një nevojë shumë të kufizuar të lidhur me punën për të përdorur aplikacionin”, tha ministria në shpjegimin e arsyes së ndalimit.

Të gjithë punonjësit janë informuar për vendimin dhe “u kërkohet të fshijnë aplikacionin TikTok në telefonat e shërbimit dhe pajisjet e tjera zyrtare sa më shpejt të jetë e mundur, nëse e kishin instaluar më parë”.

Ministria nuk dha detaje të mëtejshme se sa punonjës e kanë instaluar aplikacionin.