Ministrja austriake e Mbrojtjes qëndron për vizitë në Shkup

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Sllavjanka Petrovska, ka pritur me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake ministren austriake të Mbrojtjes, Klaudia Tanner, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Shkup, raporton Anadolu.

Ministrja austriake Tanner u nënshkrua në librin e përshtypjeve në Ministrinë e Mbrojtjes, më pas të dy ministret zhvilluan një takim kokë më kokë, si dhe u zhvillua takimi i dy delegacioneve.

Në konferencën e përbashkët për media, ministrja Petrovska tha se kjo vizitë është dëshmi se të dy vendet janë partnerë në ballafaqimin me sfidat me të cilat ballafaqohet Evropa.

Ajo theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian (BE) është gjithashtu një çështje e sigurisë me prioritet më të lartë.

“Të mos lejojmë që të krijohet një vakum në të cilin vlerat evropiane do të zëvendësohen me agjenda të tjera që kanë qenë veçanërisht të dukshme kohët e fundit përmes kërcënimeve hibride, dezinformatave dhe lajmeve të rreme, si dhe sulmeve kibernetike. Sulmet e këtilla nuk janë aspak naive, por kanë një qëllim më të lartë, që është bllokimi i negociatave me BE-në, minimi i besimit në BE, në NATO dhe në institucionet demokratike”, tha Petrovska.

Ministrja austriake Tanner mes tjerash foli për agresionin rus ndaj Ukrainës, duke theksuar se kjo luftë thekson rëndësinë e mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

“Stabiliteti dhe siguria e vendeve të Ballkanit Perëndimor është diçka që duhet arritur dhe nuk është një qëllim vetëm për ato vende, por edhe një qëllim real për ne. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë një rrethanë, lufta në Ukrainë nuk ka mbaruar ende dhe akoma nuk shihet fundi i kësaj lufte. Zgjerimi i luftës në drejtim të Evropës, nga këndvështrimi i ekspertëve tanë, nuk është një mundësi e përjashtuar”, tha Tanner, duke shtuar se për këtë arsye është e rëndësishme të merren masa parandaluese.

Ajo gjithashtu tha se të dy vendet marrin pjesë së bashku në misione të ndryshme ndërkombëtare, duke shtuar se në takim është biseduar për bashkëpunim më intensiv sa i përket mungesës së mjekëve ushtarakë.

Ministrja Tanner tha gjithashtu se është diskutuar bashkëpunimi në trajtimin e migracionit.

Gjatë qëndrimit në Shkup, ministrja austriake u takua edhe me presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.