Ministrja Reshitaj kundër importit të veturave më të vjetra se 10 vjet

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, si përfaqësuese e qeverisë ka folur në lidhje me propozimin e deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Automjete.

Reshitaj ka thënë se para disa muajve deputetët e kanë miratuar një rezolutë për të kontrolluar cilësinë e gazrave që emetohen nga automjetet ndërsa sot deputetët para vetes kanë një projektligj me plotësimin dhe ndryshimin të ligjit të automjeteve që rrezikon implementimin e kësaj rezolute, ngase ky projektligj parasheh lejimin e importimit të veturave më të vjetra se 10 vjet.

“Të nderuar deputetë po iu pyes juve që e votuat rezolutën e shkurtit se si është e mundur që të reduktohet ndotja nga lirimi i gazrave të automjeteve kur me anë të këtij projektligji parashihet lejimi i importimit të veturave të vjetra që shumica nuk i plotësojnë standardet minimale të kërkuara nga BE”, ka thënë Reshitaj.

Më tej ajo ka shtuar se MMPH është duke bërë një vlerësim gjithëpërfshirës të cilësisë së ajrit dhe sipas të gjitha parashikimeve veturat e vjetra ndikojnë në mënyrë substanciale në ndotjen e ajrit.

Reshitaj ka thënë se është në dorën e deputetëve të rrisin apo të ulin nivelin e ndotjes së ajrit, të rrezikojnë apo të mbrojnë jetët e qytetarëve në komunikacion pasi veturat e vjetra janë më të pasigurta dhe si pasojë e pasigurisë mund të shtohen aksidentet në komunikacion.

“Me heqjen e kufizimit të vjetërsisë ne rrezikojmë importimin e veturave që nuk janë në përputhshmëri me standardet minimale të BE-së konkretisht jo të pajisura me katalizatorë të standardit euro 4 . Lejimi i importimit të veturave të vjetra do të bëj të pamundur zbatimin e udhëzimit administrativ të ncxjerrë nga qeveria dhe është në kundërshtim me rezolutën e nxjerrë në shkurt nga ana juaj  Çdo automjet duhet të plotësoj të paktën normën minimale të BE-së që së paku të posedoj katalizatorin euro 4”, ka theksuar Reshitaj.

Kuvendi i Kosovës është duke shqyrtuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për Automjete.

Propozuesi, Mërgim Lushtaku, ka propozuar që të ndërrohet tri nene të këtij ligji neni 44, neni 63 dhe neni 89.

Sipas tij te neni 44, ku thuhet se në Kosovë nuk mund të importohen vetura më të vjetra se 10 vite duhet të ndryshohet pasi BE dhe SHBA nuk e kanë të rregulluar me vjetërsi por në aspektin e standardeve.

“Pas kësaj i kam shqyrtuar vendet e Evropës dhe SHBA kryesisht perëndimi, e pash që nuk ka ndalesë në vite po në aspektin e standardeve. Kemi problem që kushtet e ekonomike të familjeve kosovare i kanë shumë të vështirë të kenë në dispozicion vetura të reja dhe është e domosdoshme që kjo dispozitë të largohet”, tha Lushtaku.

Te neni 63, sipas Lushtakut ka një shkelje flagrante të të drejtave të qytetarëve.

“Sipas këtij neni për të bërë ndërrimin e pronësisë të automjetit nëse nuk e ndërron pronarin deri në 30 ditë regjistrimi shkon huq nëse nuk e ka bërë atë brenda 30 ditëve”, tha Lushtaku.